Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ka pranuar dje Raportin e Progresit 2009 të Komisionit Evropian për Kosovën dhe Studimin “Kosova: në përmbushje të perspektivës së saj evropiane” nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, z. Renzo Daviddi. Në vijim po e japim deklaratën e Presidentit Sejdiu me rastin e marrjes së këtyre vlerësimeve për Kosovën:
Mirëpres Raportin e Progresit 2009 të Komisionit Evropian për Kosovën, me vlerësimin se përbën dokumentin themelor orientues për hapat e mëtutjeshëm në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE mbetet prioriteti kryesor për Kosovën derisa bëjmë përpjekjet tona maksimale për ta thelluar zhvillimin e vendit dhe për ta rritur prosperitetin për të gjithë qytetarët.Mirëpres vlerësimet se Kosova ka arritur progres sidomos në funksionalizimin e institucioneve të saj të qeverisjes dhe plotësimin e kornizës legjislative. Kosova, po ashtu, ka arritur të ruajë stabilitetin e përgjithshëm të vendit duke krijuar mundësi për forcimin e mëtutjeshëm të këtij segmenti kyç. Megjithatë, roli i shtuar në përmbushjen e kritereve të tjera, sidomos ato që kanë të bëjnë me eliminimin e dukurive negative: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në përgjithësi forcimit të sistemit gjyqësor në Kosovë, është më se i nevojshëm. Të gjitha institucionet e vendit duhet dhe do t’i marrin me seriozitetin më të madh vërejtjet që janë shënuar në Raportin e Progresit, në mënyrë që viti tjetër të na gjejë me hapa të shpejtuar drejt procesit të anëtarësimit. Për këtë, institucionet e Kosovës do ta vazhdojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe atë me Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE kërkon përkushtimin më të madh të mundshëm nga të gjitha institucionet e vendit dhe ne jemi përgjegjës për detyrat që na takojnë.Do të bëjmë çmos për të shfrytëzuar më së miri mbështetjen që BE-ja i jep Kosovës nëpërmjet programeve të saj të asistencës derisa ajo vazhdon të punojë për forcimin e rendit ligjor, reformës në administratën publike dhe zhvillimit socio-ekonomik. Kosova do të jetë përherë në lidhje me Bashkimin Evropian për ta realizuar vizionin e saj për anëtarësim. Gjithashtu, mirëpres dokumentin shtesë, atë të Studimit të Komisionit Evropian, i cili synon t’i identifikojë sfidat e integrimit dhe të ofrojë mekanizma për t’i adresuar ato sfida vetëm e vetëm që Kosova të rrisë zhvillimin e saj ekonomik e shoqëror. Me këtë rast, mirëpres propozimin e Komisionit Evropian për thellimin e lidhjeve të qytetarëve tanë me ata të BE-së nëpërmjet dialogut të vizave me Kosovën dhe vlerësimin se realizimi i një marrëveshjeje tregtare me BE-në do ta shtynte Kosovën më tej në përmbushjen e kritereve ekonomike. Mbesim me bindjen se shumë shpejt Kosova do të jetë pjesë e këtij procesi final të lëvizjes së lirë dhe garantimit të qasjes së papengueshme në tregun evropian. Por, për këtë, Kosovës i duhet udhëzues i qartë i përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash dhe mbështetje e vazhdueshme për realizimin e kritereve ekonomike. Për të gjitha këto, është me rëndësi që bashkëpunimi politik dhe ekonomik me BE-në të thellohet edhe më tej. Jam i bindur se me një komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian, shumë procese mund të shkojnë edhe më shpejtë sesa ka treguar praktika e zgjerimit. Kosova është thellësisht e përkushtuar ta realizojë agjendën e saj evropiane duke qenë pjesë e zhvillimeve dhe përpjekjeve të rajonit për integrim në BE. E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.