presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Zgjedhjet e 15 nëntorit të jenë shembull i pjekurisë politike dhe institucionale në shtetin tonë

Në patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), subjektet politike nënshkruan sot Kodin e Mirësjelljes për zgjedhjet lokale 2009. Përveç përfaqësuesve të subjekteve politike, në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, z.Christopher Dell, znj. Ingrid Johansson, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Suedisë, si kryesuese e radhës e BE-së, shefi i ICO-së, Peter Feith, si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës.

“Më 15 nëntor, për herë të  parë në shtetin tonë të pavarur, demokratik dhe sovran, të njohur ndërkombëtarisht, do të mbahen zgjedhjet lokale. Kjo është një ditë solemne, që secilit qytetar të Kosovës  i jep mundësinë të realizojë të drejtën themelore për të zgjedhur lirisht kryetarin e komunës dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës në të cilën jeton, dhe të cilët do të marrin përgjegjësitë për zhvillimin social, ekonomik dhe  kulturor, në interes të qytetarit dhe komunës në katër vjetët e ardhshme”, tha fillimisht Presidenti Sejdiu, në një fjalë mbajtur me këtë rast.  Ky proces zgjedhor për herë të parë do të menaxhohet plotësisht nga institucionet e vendit tonë, ndërsa organizatat dhe miqtë tanë ndërkombëtarë do të kenë rolin e vet të veçantë ndihmës e monitorues, për çka i falënderojmë posaçërisht, vijoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se nesër, një muaj përpara kësaj dite solemne të votimit, do të fillojë zyrtarisht fushata për këtë proces zgjedhor. Partitë politike dhe subjektet tjera garuese, iniciativat qytetare dhe individët, do të kenë mundësinë të shpalosin idetë dhe programet e tyre për të qeverisur me komunat, duke garuar kështu me njëri-tjetrin për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes për mandatin e ardhshëm.“Sot, në prag të fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi në mënyrë që këto zgjedhje të jenë shembull i pjekurisë politike dhe institucionale në shtetin tonë të dashur”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike për të nënshkruar Kodin e Mirësjelljes. Kodi – tha Presidenti Sejdiu – i cili është përgatitur edhe në konsulencë me NDI,  dhe u është shpërndarë paraprakisht, nuk zëvendëson asnjë nga rregullat ekzistuese. Ai e përforcon angazhimin tonë për Kodin e Mirësjelljes, siç është përcaktuar me ligj mbi zgjedhjet dhe është fuqizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.“Subjektet politike, kandidatët dhe anëtarët, tërësisht do të bashkëpunojnë dhe do t’ia japin tërë mbështetjen e duhur Komisionit Qendror Zgjedhor dhe organeve të tij. Ndërsa, nga komisioni dhe organet e tij kërkohet që të funksionojnë në bazë të paanshmërisë dhe transparencës së plotë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shprehur besimin se zotimi publik i subjekteve politike për kodin e mirësjelljes do të kontribuojë për të forcuar përkushtimin e Kosovës për liritë demokratike në vend dhe në bashkësinë ndërkombëtare.Me këtë akt solemn u  premtohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, se do ta promovojmë aktivisht këtë Kod të Mirësjelljes dhe do ta vëzhgojmë zbatimin e tij. Të gjithë duhet të respektojmë ligjet dhe rregulloret e zgjedhjeve, të promovojmë një standard të lartë të pjesëmarrjes demokratike në zgjedhjet e ardhshme dhe të sigurojmë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta, theksoi Presidenti Sejdiu. “Le të  punojmë të gjithë së bashku – institucionet qeveritare, partitë politike, iniciativat qytetare, mediat, shoqëria civile dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie dhe besimi, që ky proces shumë i rëndësishëm për shtetin tonë të ri, të kalojë si është më së miri. Të bëhet një fushatë e ndershme dhe e dinjitetshme, me konkurrencë të ideve dhe programeve, ku do të mbizotërojë fryma e tolerancës, e mirëkuptimit dhe e respektimit të vlerave që ka dhe ofron qytetari dhe shoqëria jonë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se ky është obligim i të gjithëve, në mënyrë që të pasqyrojmë një pamje pozitive të Kosovës së pavarur.Në fund, Presidenti Sejdiu përkujtoi përfaqësuesit e subjekteve politike se nënshkrimi i tyre, zotimi i tyre, është një zotim për të respektuar principet bazë të shprehjes dhe pjesëmarrjes demokratike, ndërsa zhvillimi i këtij procesi zgjedhor është rasti për të dëshmuar përkushtimin tonë për t’u integruar në BE, në NATO dhe në strukturat ndërkombëtare.Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, z. Christopher Dell theksoi se Kodi i Mirësjelljes është diçka që kërkohet në ligj, prandaj kjo ceremoni shërben si forcues i rëndësishëm i bindjes së qytetarëve, votuesve dhe komunitetit më të gjerë. “Nënshkrimi juaj, zotimi juaj, është një lidhje nderi për të respektuar principet bazë të shprehjes dhe pjesëmarrjes demokratike”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Christopher Dell.Në emër të BE-së, në këtë ceremoni foli znj. Ingrid Johansson, e ngarkuar me punë në ambasadën e Suedisë, si kryesuese e radhës e BE-së.

This site is registered on wpml.org as a development site.