presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Bullgaria – vend model në procesin e integrimit

“Republika e Kosovës është e përkushtuar t’i thellojë edhe në vazhdimësi raportet e gjera të bashkëpunimit që ka me Republikën e Bullgarisë”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me Ambasadorin e porsaemëruar të Bullgarisë në vendin tonë, Krasimir Tulechki, i cili, me këtë rast, dorëzoi Letrat Kredenciale të akreditimit për ambasador.

“Intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy vendeve tona, po edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit është synim i përhershëm i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk do ta harrojnë asnjëherë mbështetjen e parazervë të shtetit dhe të popullit bullgar në  përpjekjet e gjata për liri e pavarësi”, theksoi Presidenti Sejdiu.“Republika e Bullgarisë është një model i mirë në rajon i kalimit të suksesshëm të fazës së tranzicionit politik e ekonomik, si dhe i rrumbullakimit të shpejtë të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare”, pohoi Presidenti Sejdiu, duke ripërsëritur vendosmërinë e Kosovës për përmbushje të plotë të standardeve të kërkuara për integrimin sa më të shpejtë në këto struktura. Në këtë takim, Presidenti Sejdiu e falënderoi Ambasadorin Tulechki edhe për mbështetjen që i ka dhënë Bullgaria Kosovës duke e mbrojtur legjitimitetin e pavarësisë së vendit tonë në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë. Ndërsa, Ambasadori Tulechki tha se Bullgaria do të jetë edhe në të ardhmen një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe i aspiratave të saj për të qenë sa më parë anëtare e plotë e mekanizameve ndërkombëtarë.“Bullgaria ka qenë dhe do të jetë përherë përkrahë jush dhe do të japë mbështetjen e saj të plotë për institucionet tuaja demokratike”, pohoi Ambasadori Tulechk.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.