Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, takoi sot shefin e Zyrës së Austrisë në Prishtinë, z. Gernot Pfandler, i cili solli Notën Verbale për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës.
Po ashtu, z. Pfandler e njoftoi Presidentin Sejdiu se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Zyra e Austrisë në Prishtinë do të shndërrohet në Ambasadë, ndërsa, derisa të emërohet një ambasador, Ambasadën do ta udhëheqë një i ngarkuar i përkohshëm me punë.Presidenti Sejdiu i shprehu z. Pfandler falënderimin për gjithë angazhimin dhe investimin e Austrisë në Kosovë, duke e theksuar kënaqësinë për aktin e vendosjes së marrëdhënieve reciproke diplomatike, që shënon nisjen e një etape të re të thellimit të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes dy vendeve.