DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Zahiri, Edmondi dhe Hakifi ishin lajmëtarët e lirisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.

Presidentja Osmani ka thënë se sot në përvjetorin e vrasjes së heronjve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu jemi këtu së bashku me kryeministrin, me kryetarin e komunës dhe me bashkëpunëtor për të shprehur nderimet tona më të larta për veprimtarinë, për punën dhe për sakrificën që këta heronj kanë bërë për lirinë e Kosovës.

“Zahiri me shokë ishin pararoje të UÇK-së, ata ishin lajmëtarët e lirisë sonë. Ishte pikërisht angazhimi i tyre dhe pastaj edhe rënia e tyre për lirinë e Kosovës në një pritë që më vonë frymëzoi edhe mijëra gra e burra t’i bashkohen luftës çlirimtare që më në fund kulmoi edhe me çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar se ky frymëzim nuk ka përfunduar në vitin 1999 me çlirimin e vendit tonë, por vazhdon edhe sot, e për shkak të punës, veprimtarisë, sakrificës dhe luftës së tyre çlirimtare ata do të mbesin udhërrëfyes të brezave që do të vijnë edhe pas nesh.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta, sepse do të vazhdojnë të jetojnë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët sot bashkërisht e gëzojnë lirinë për shkak të sakrificës së Zahirit, Edmondit, Hakifit dhe shumë e shumë vajzave e djemve që ranë për lirinë e Kosovës”, ka pohuar Presidentja.

Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillojë lufta çlirimtare. Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit, dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm Ushtrisë Çlirimtare, e rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Më pas, Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, kanë vendosur kurorë lulesh dhe kanë bërë homazhe edhe te varri i heroit Zahir Pajaziti, në Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti”, në Orllan, në 25 vjetorin e rënies. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.