Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Austri ku po qëndron me ftesë të Presidentit austriak, Alexander Van der Bellen, ka takuar mërgimtarët.
Presidentja Osmani ka thënë se vizita në Austri merr vlerë të shtuar pas takimit me mërgimtarët.
“Ju faleminderit që jeni çdo herë pranë nesh. Ne do të punojmë shumë që besimin që e keni tek ne ta shndërrojmë në vizion, punë, e angazhim për një të ardhme më të mire”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një sërë takimesh. Ajo fillimisht është takuar me homologun e saj austriak, Alexander Van der Bellen, ku është pritur me nderime të larta shtetërore, ndërsa më pas ka zhvilluar takime edhe me kancelarin Sebastian Kurz dhe me ministren për Veprim Klimatik, Mjedis, Energji, Mobilitet, Inovacion dhe Teknologji, znj. Leonore Gewessler.
E para e vendit është takuar edhe me shoqatën e miqësisë Kosovë – Austri, si dhe ka mbajtur ligjëratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë si dhe ka takuar një grup të grave të suksesshme Austriake, me ftesën e Zonjës së Parë të Austrisë, znj. Doris Schmidauer.