DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani takoi ambasadorin rajonal të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike për Evropë, z. David Moran

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, sot priti në takim z. David Moran, ambasador rajonal i Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26), për Evropë, me të cilin diskutoi zhvillimet në vend, por edhe ato globale sa i përket ndryshimeve klimatike.

Ajo e përgëzoi z. Moran dhe Mbretërinë e Bashkuar për organizimin e  Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgou, me të cilën u rikthye vëmendja e gjithë botës te çështja e ndryshimeve klimatike në një kohë të sfidave të njëpasnjëshme botërore.

Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se është fatkeqësi që Kosova nuk është pjesë e këtyre diskutimeve, pasi që sipas saj: “Ndryshimet klimatike nuk njohin kufi”.

Presidentja Osmani potencoi nevojat e Kosovës për mbështetje në drejtim të një tranzicioni të suksesshëm nga burimet fosile të energjisë në burime të ripërtëritshme të energjisë.

Përfshirja dhe lehtësimi i qasjes së Kosovës në fonde dhe mekanizma të financimit, sipas Presidentes Osmani do ta mundësonte adaptimin dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike.

“Bashkëpunimi është parakusht për adresimin e sfidave të emergjencës klimatike. Është e nevojshme të veprojmë tani në mënyrë që të garantojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë pas nesh”, theksoi Presidentja Osmani, teksa foli për rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit energjetik.

Në takim me z.Moran, Presidentja Osmani përmendi hapat e ndërmarra në këtë drejtim nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike si dhe kornizën legjislative.

Ndërkaq ambasadori Moran e informoi Presidenten mbi zhvillimet pas Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) dhe vlerësoi përkushtimin Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë aktive në avancimin e agjendës për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.