presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Senatori Bob Dole kurrë nuk e ndali përkrahjen për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, sot kanë vendosur kurorë lulesh dhe kanë bërë homazhe te busti i senatorit Bob Dole.

Presidentja Osmani ka thënë se jemi sot këtu për t’i thënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm dhe më të mëdhenj që i ka pasur Kosova në historinë e saj, Senatorit Bob Dole i cili u nda nga ne dje duke lënë jo vetëm Amerikën, por edhe gjithë Kosovën të pikëlluar, por në të njëjtën kohë edhe shumë krenarë për miqësinë që e ndërtuam përgjatë dekadash dhe për gjithë përkrahjen që ai i dha popullit të Kosovës në kauzën tonë për liri dhe pavarësi.
 
“Senatori Bob Dole ishte me ne jo vetëm në vitet e 90-ta, pra në kohën kur shumëkush nuk e dinte jashtë vendit tonë që edhe ne ekzistonim në hartë, por ishte me ne edhe në sfidat e kohës së pavarësisë por edhe pas pavarësisë, pavarësisht a ishte në postin e senatorit apo edhe jashtë Senatit, ai kurrë nuk e ndali përkrahjen për Kosovën. Madje edhe siç e keni parë një prej deklarimeve të tij të fundit, e fundit në Twitter ishte pikërisht për Kosovën, duke e bekuar Kosovën dhe duke i bekuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, edhe ne sot i bashkohemi familjes së tij, i bashkohemi gjithë miqve të tij e i bashkohemi gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ai shërbeu gati 80 vite për ta përkujtuar këtë njeri të madh që nuk na la kurrë vet, e që aq sa i ka ndihmuar popullit amerikan që të ec përpara, aq na ka ndihmuar edhe neve. Prandaj, e meriton gjithë nderimin tonë dhe kujtimi për të do të jetë i përjetshëm edhe në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.