Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zv.presidenten e Republikës së Bullgarisë, Iliana Iotova, e cila po qëndron në vendin tonë, në kuadër të shënimit të 15- vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Presidentja Osmani e ka falënderuar zv.presidenten Iotova për pjesëmarrjen e saj në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe ka theksuar se Bullgaria është shtet mik dhe mbështetëse e Kosovës në shumë faza historike.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar zv.presidenten Iotova për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare në Bullgari dhe ka shfaqur përkushtimin e vazhdueshëm për thellimin e mëtejmë të raporteve ndërshtetërore.
Në takim u diskutua për zhvillimet nē fushën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë. Presidentja Osmani ka theksuar se është krijuar një momentum i ri politik me propozimin evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-të. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është palë konstruktive dhe kontribuuese për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Presidentja Osmani ka marrë mbështetjen e zv.presidentes Iotova për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, teksa ka kërkuar që një mbështetje e tillë t`i jepet Kosovës edhe për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Zv. presidenrja Iotova konfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.