Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Republikës së Finlandës në Kosovë, z. Johan Schalin.
Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Finlandës, si dhe për mundësitë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi në vijim. Në veçanti, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e Finlandës për perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Në vazhdën e zhvillimeve me Samitin e NATO-s, Presidentja Osmani përcolli urimet e saja me rastin e pranimit të ftesës zyrtare të NATO-s për Finlandën dhe Suedinë për anëtarësim në aleancën transatlantike. Në frymën e këtij zhvillimi pozitiv dhe si rezultat i zhvillimeve aktuale në fushën e sigurisë globale, Presidentja Osmani potencoi nevojën për mbështetje të synimit të Kosovës për anëtarësim në programin e Partneritetit për Paqë në kuadër të NATO-s.