DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani sot ka pritur në takim Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. Ata fillimisht kanë zhvilluar një takim ku kanë diskutuar për çështje të interesit të përbashkët për ta përfunduar me një konferencë të përbashkët për media.

Në diskutim me Presidentin Pahor, Presidentja Osmani ka theksuar se Sllovenia u rreshtua pro lëvizjes për pavarësi të Kosovës, dhe se Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin. 

E para e vendit më tej kë diskutuar me Presidentin Pahor edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, procese këto në të cilat Kosova ka nevojë për mbështetjen e Sllovenisë. 

“Është e nevojshme që Sllovenia të ndihmojë Kosovën në procesin e përgatitjes së dokumentacionit për integrim europian, dhe Sllovenia si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, po kështu të lobojë për për anëtarësim dhe integrim të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Më tej, Presidentja Osmani me homologun Pahor kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, me ç’rast Presidentja Osmani ka thënë se përkrahja e Sllovenisë në këtë proces është tejet e rëndësishme, posaçërisht përmes lobimit në vendet ngurruese. 

Me Presidentin Pahor, Presidentja Osmani ka diskutuar edhe për situatën me Covid 19, me  ç ‘rast ka kërkuar ndihmën e Sllovenisë për sigurimin e vaksinave. Është diskutuar edhe për shkëmbimin e përvojave për menaxhim të suksesshëm të pandemisë. 

Ndër të tjera, në takim Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor kanë diskutuar edhe për Procesin e Brdos, ku ka potencuar rëndësinë e pranimit të së vërtetës si parakusht për paqe të qëndrueshme. 

“Pajtimi dhe paqja në rajon – njohja e së vërtetës dhe pranimi i realitetit; ndihma reciproke dhe inkurajimi në zgjidhjen e çështjeve pezull, qofshin të karakterit bilateral apo multilateral; realizimi i interesave të përbashkëta të të gjitha vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në BE (e disa edhe në NATO); si dhe thellimi i të gjitha llojeve të bashkëpunimit, para së gjithash ekonomik, si dhe konsolidimi i marrëdhënieve fqinjësore si themel për paqen dhe prosperitetin e të gjithave vendeve dhe gjithë popujve të rajonit”, ka thënë Presidentja. 

Temë diskutimi ndërmjet të dy presidentëve, gjithashtu ka qenë edhe dialogu me Serbinë. 

Presidentja Osmani ka thënë se Sllovenia mbështetet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm për të gjithë rajonin. 

“Kosova palë dhe jo objekt. Njohja e së vërtetës dhe njohje njohje reciproke e dy vendeve sovrane”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar gjithashtu edhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, gjegjësisht për mbështetjen e bizneseve sllovene dhe sjelljen e investitorëve kredibilë   slloven, për rritjen e këmbimit tregtar.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.