Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të cilit i ka uruar mirëseardhje.
Presidentja Osmani ka falënderuar Finlandën për mbështetjen e deritashme, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, me theks të veçantë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Finlandës edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe organizata tjera ndërkombëtare, të cilat do ta ndihmojnë fuqizimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Presidentja Osmani i ka vlerësuar marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet Kosovës e Finlandës përgjatë viteve të fundit, përfshirë edhe kontributin e ish-presidentit Martti Ahtisaari, ndërsa ka theksuar se këto raporte do të vazhdojnë të forcohen edhe gjatë mandatit të ambasadorit Nissinen.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Nissinen kanë diskutuar edhe për situatën e sigurisë në Evropë, duke përmendur rëndësinë e integrimit euroatlantik, garancisë së vetme për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë. Në këtë aspekt, Presidentja Osmani ka përgëzuar qeverinë finlandeze për vendimin për t’iu bashkuar Aleancës Veri-Atlantike.