Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Deklarata e plotë e Presidentes:
Në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit me fillimin e sulmeve ajrore, avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u ekzekutuan në mënyrë barbare.
Ekzekutimi i avokatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte i planifikuar dhe shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria jonë nisi të dukej në horizont.
Do ta kujtojmë avokatin Kelmendi për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!