presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani në Istog dekoroi dëshmorë të UÇK-së dhe personalitete të tjera, bëri homazhe, takoi të moshuarit dhe vizitoi një biznes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitave në komunat e vendit, sot ka vizituar komunën e Istogut.

Presidentja Osmani fillimisht është pritur në takim nga kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati. Më pas Presidentja Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, për të vazhduar pastaj me homazhe te familja Imeraj nga Padalishta. 

Në kuadër të kësaj vizite Presidentja Osmani ka nderuar me medalje presidenciale dëshmorë të UÇK-së, veprimtarë e sportistë, si dhe ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve. 

Presidentja gjithashtu ka vizituar shtëpinë e familjes Josiq, në fshatin Veriq. Ndërkaq, në fund të vizitës në Istog, Presidentja Osmani ka vizituar biznesin “Onix”. 

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Përmbyllje e një dite të mirë në Istogun e Presidentit Rugova. 
U mirëpritëm nga kryetari Ilir Ferati dhe diskutuam për sfidat por edhe mundësitë që komuna e Istogut të zhvillohet edhe më hovshëm. Bëmë homazhe te shtatorja e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, për të vazhduar pastaj me homazhe te familja Imeraj nga Padalishta, të cilës më 1999 iu vranë 19 anëtarë të familjes. Me një prezencë masive të mërgatës sonë dhe qytetarëve të Istogut, nderova me medalje presidenciale dëshmorë të UÇK-së, veprimtarë e sportistë.
Në Shtëpinë e të Moshuarve patëm një takim të ngrohtë me të moshuarit, të cilët kanë kontribuar për të mirën e përgjithshme. Ndërkaq, në fshatin Veriq, vizitova shtëpinë e familjes Josiq, e cila u dogj ditë më parë nëpërmjet një akti barbar, por tashmë janë ndarë fondet për rindërtimin e saj. Kosova është shtëpi e të gjithëve pa dallim, ndërkaq Istogu gjithnjë ka qenë shembull i mirë i bashkëjetesës për të gjitha komunitetet.
E përmbylla vizitën në Istog, me një vizitë në biznesin “Onix”, banjë kjo, e cila paraqet një ambient jashtëzakonisht impresiv për shkak të ujërave termale që paraqesin mundësi për trajtim shëndetësor. 
Faleminderit për mikpritjen Istog! 
Shihemi në komunën e radhës!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.