Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani – Sadriu, në një ceremoni të veçantë ia dorëzoi sot ekipit olimpik Flamurin e Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.
Presidentja Osmani i ka falënderuar ata për një punë të jashtëzakonshme që kanë bërë, jo vetëm gjatë tërë këtij viti, por për një periudhë të gjatë në mënyrë që tani Kosova të përfaqësohet nga dy skitarë profesionistë, nga Albin Tahiri, i cili ka marrë pjesë edhe më parë në Lojërat Olimpike Dimërore, dhe nga Kiana Kryeziu, një 17 vjeçare, e para vajzë e cila merr pjesë në lojëra olimpike dimërore dhe arrin normën olimpike.
“Që të dy do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës me nder e me krenari, dhe ashtu edhe sikurse të gjithë sportistët tanë do të vazhdojnë të jenë imazhi më i mirë i Republikës sonë në botë. Unë dua t’i falënderoj për këtë punë të jashtëzakonshme trajnerët e tyre, Federatën, Komitetin Olimpik të Kosovës të udhëhequr nga Presidenti Krasniqi dhe të gjithë të tjerët që kanë qenë të angazhuar në mënyrë që Kosova të vazhdojë të shkëlqejë në sporte të ndryshme”, ka thënë Presidentja Osmani.
E para e vendit ka thënë se natyrisht se presin suksesin e tyre, mirëpo, sipas saj vet përfaqësimi i tyre i deritanishëm është një sukses i jashtëzakonshëm për shtetin tonë, “sepse sportistët po vazhdojnë të jenë ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë, edhe në shtetet që nuk na kanë njohur, po vazhdojnë ta ngrisin flamurin tonë”.
Presidentja Osmani ka thënë se me performancën e shkëlqyeshme të sportistëve tanë në botë do ta shohim një kontribut shtesë edhe tek shumë shtete të tjera të cilat nuk e kanë njohur Kosovën
“Flamurin e Republikës së Kosovës në këtë ceremoni e cila është e vogël për shkak të masave të pandemisë, ia dorëzoj skitarit tonë Albin Tahiri që ta bartë me nder dhe krenari në një shtet i cili nuk na ka njohur, por jam e bindur që me performancën e shkëlqyeshme të sportistëve tanë në botë do ta shohim një kontribut shtesë edhe tek shumë shtete të tjera të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por nëpërmjet jush ata e kuptojnë fytyrën e vërtetë të shtetit tonë, imazhin e vërtetë të shtetit tonë”, ka theksuar Presidentja.
Ndërkaq, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se është një rast i veçantë dhe një krenari për neve që sot e pranuam nga Presidentja flamurin e Kosovës.
“Nga gjithë bota marrin pjesë vetëm 90 shtete. Ndër këto 90 shtete të forta dhe nga kjo konkurrencë shumë e madhe i kemi edhe dy sportistë nga Kosova të cilët do të marrin pjesë dhe do ta prezantojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Albini e cekëm që i ka katër norma me katër disciplina dhe katër ditë me radhë do të përmendet Kosova në shtetin e Kinës, flamuri i Kosovës dhe emri i Kosovës, njashtu edhe Kiana. Kështu që, për neve është një sukses shumë i madh, dhe shpresoj që me nder do ta bartim këtë flamur dhe do të kthehemi krenar nga “Pekin 2022”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, Presidenti i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, ka thënë se me krenari dhe me kënaqësinë më të veçantë sot ndodhemi këtu te Presidentja, që ta marrim bekimin dhe njëkohësisht flamurin, që ta prezantojmë vendin tonë në mënyrë sa më të denjë dhe më të mirë.
“E njoftoj Presidenten që Federata e Skitarëve të Kosovës për këto 20 vite sa jemi shtet, ka arritur që të jetë në konkurrencë me të gjitha vendet e Ballkanit, do të thotë po merr pjesë në një Olimpiadë me dy sportistë, kurse edhe vendet e Ballkanit që na rrethojnë, ka që marrin pjesë vetëm me një sportist”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa, skiatori Albin Tahiri, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, është shprehur krenar që do ta përfaqësojë Kosovën. “Faleminderit Presidente. Unë jam shumë krenar. Unë nuk tregohem flamurist i Kosovës veç me dorë, unë krenohem me flamurin e Kosovës edhe me zemër”, ka thënë Tahiri.