presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e përzgjedhjes së raundit të parë të supershkollave organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu ka marrë sot pjesë në ceremoninë e përzgjedhjes së raundit të parë të supershkollave organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe të Bashkimit Evropian është bërë përzgjedhja me sukses e raundit të parë të supershkollave, shkollave të mesme të larta nga i gjithë rajoni që do të marrin pjesë në ciklin e parë të Skemës së Shkëmbimit të Super Shkollave të Ballkanit Perëndimor.

Në vijim gjeni fjalimin e plotë të Presidentes Osmani – Sadriu:
 
Të nderuar të pranishëm, 
Z. Ambasador Rohde, 
Znj. Ambasadore Butel,
Të nderuar përfaqësues të RYCO-së këtu në Kosovë dhe të gjithë ju përfaqësues të shkollave,
 
Është kënaqësi që të jem në mesin tuaj sot dhe ju falënderoj për ftesën.
 
Më vjen vërtetë mirë që jemi mbledhur për të përshëndetur një nismë që gërsheton dy elemente të cilat unë i konsideroj thelbësore për zhvillimin e shoqërive të qëndrueshme, moderne, të mençura dhe të përgatitura për sfidat e kohëve tona.
 
Nuk ka mënyrë më të mirë për të krijuar ura të komunikimit dhe të bashkëpunimit, se sa nëpërmjet edukimit dhe shkëmbimit të njohurive, ideve, e praktikave më të mira. Ne të gjithë e kemi një synim të përbashkët e ai është që vendet tona, shoqëritë tona, e të rinjtë tanë në veçanti, të jetojnë dhe të zhvillohen krah për krah me njëri tjetrin në frymën e bashkëpunimit, shkëmbimit të rregullt, e komunikimit të mirëfilltë.
 
Sa më herët që investohet në mendësinë e thyerjes së barrierave e sa më shpesh që e përçojmë mesazhin e qartë të rëndësisë së të komunikuarit të rregullt, mësimit ndërkulturor dhe angazhimit për dialog, aq më të mëdha i kemi gjasat për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e në frymën e mirëkuptimit, solidaritetit e partneritetit.
 
Sot dua të përgëzoj organizatorët këtu në RYCO, të gjithë ata që janë angazhuar, të gjitha shkollat por edhe Bashkimin Evropian dhe Qeverinë gjermane nëpërmjet implementuesit të projektit, pra GIZ së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), për faktin që mbështetën një projekt shumë origjinal e me shumë vlera siç është projekti Supershkollat.
 
Është jashtëzakonisht premtuese që 6 shkolla të mesme nga Kosova janë përzgjedhur si përfituese të këtij grantit në ciklin e parë duke u kualifikuar kështu për mundësinë e shkëmbimit të nxënësve me shkolla të tjera të mesme në vende të ndryshme. 
 
Ajo që më morri vëmendjen në momentin që e pranova ftesën dhe një element për të cilin ju përgëzoj, është fakti që për herë të parë shkollat nga Kosova do të kenë mundësinë për shkëmbim me shkolla nga të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor. Përderisa shkëmbimi është tejet i rëndësishëm dhe i vlefshëm me çdo vend të rajonit, ai bëhet posaçërisht i veçantë kur mundëson tejkalimin e barrierave të rrënjosura ndër vite me disa prej vende fqinje.
 
Në fushën e arsimit, në kulturë, në shkencë, e në sport, i pari duhet të vie gjithnjë bashkëpunimi. Është pikërisht bashkëpunimi në këto fusha që na mundëson që pastaj të tejkalojmë gradualisht edhe problemet e sedimentuara me kohë. Ky bashkëpunim na mundëson që të hapim horizonte të reja të mirëkuptimit ndaj njëri tjetrit. Na mundëson mbi të gjitha të bëjmë hapat të rëndësishëm drejt ndërtimit të paqes së qëndrueshme.
 
Ne do të dëgjojmë shumë nga ju edhe sot për planet dhe idetë e shkëmbimit, për projektet konkrete, për hapat e mirëdefinuar për muajt në vijim sepse do të angazhoheni në programe, sesione e trajnime të ndryshme, në të cilat do të diskutoni e do të mësoni për çështje nga: diversiteti, toleranca, zakonet e traditat, edukimi profesional e deri te kulinaria, teknologjia, të bërit biznes e tregtia, si dhe shumëçka tjetër.
 
Por, ajo që ka rëndësi është që e gjitha kjo po bëhet për një qëllim shumë më të madh. Përveç se do të mësoni shumë nga njëri tjetri, përveç se do të identifikoni metoda të reja e të sofistikuara të mësimdhënies e mësimnxënies, ju mbi të gjitha do të ndani historitë tuaja dhe do të mësoni nga historia e të tjerëve, do të bëni miq të rinj, e do të promovoni vendin tuaj. Ju tashmë do të bëheni ambasadorët tanë në fushën e arsimit.
 
Në këtë rrugëtim, shpresoj që të gjithë të kuptojmë që ky është më shumë sesa vec një projekt. Kjo është një mundësi e artë e juaja për të treguar atë se kush jeni, nga vini, dhe të shpërfaqni potencialin tuaj për të bërë gjëra të jashtëzakonshme për të cilat do t’ua kenë zili.
 
Projekte si supershkollat duhet të shtohen gjithnjë e më shumë. Sepse, këto lloj projektesh, përveç se kontribuojnë në arritjen e qëllimit primar, ofrojnë po ashtu mundësi për të hapur dyer në vende e në fusha në të cilat e me të cilat bashkëpunimi ka qenë i mangët apo ka munguar.
 
Përmes sektorit të arsimit ne krijojmë mundësi të pafundta për të ndërtuar të ardhmet tona më të ndritura, më premtuese, më dinamike, e më bashkëpunuese. Andaj, mundësi si këto, nuk duhen humbur kurrsesi. Ato duhet të shfrytëzohen me mençuri, maturi, e me shumë përkushtim.
 
Përmes supershkollave, ju keni mundësi të shpërfaqni faqe të librit të historisë moderne të Republikës sonë, duke ua dëshmuar bashkëmoshatarëve nga vendet e ndryshme, se në Kosovë ka potencial të jashtëzakonshëm, ka ide, ka kreativitet, ka mençuri, por mbi të gjitha, ka pasion e përkushtim për arsim dhe për dituri.
 
Ju uroj shumë suksese në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm. Shijoni çdo aktivitet e çdo etapë në muajt në vijim. Mos harroni: që rëndësi që të përqafosh çdo mundësi me mendje e me zemër të hapur. Kjo është mundësia më e mirë për t`u rritur, për t`u pjekur, për të qenë versioni më i mirë i vetvetes. Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.