Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, me rastin e marrjes së detyrës, sot ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin dhe veprën e arkitektit të shtetit dhe pavarësisë, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka thënë se ai i ka dhënë politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human dhe njëkohësisht ka arritur që Kosovën dhe sakrificën e popullit të saj ta bëjë të njohur për të gjithë botën. “Mbështetja që ai siguroi për vendin tonë, miqësitë që ai siguroi për shtetin tonë akoma janë ndër bazamentet më të fuqishme të lirisë sonë, të pavarësisë sonë dhe të demokracisë të cilën ende jemi në ndërtim e sipër”, ka thënë presidentja Osmani. Gjatë ditës së sotme, Presidentja Osmani ka bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, në Prekaz.
“Jemi këtu për të nderuar sërish, sepse edhe në qoftë se vijmë çdo ditë nuk është e mjaftueshme për ta nderuar sakrificën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, të gjithë familjes Jashari, të cilët u shndërruan në simbolikën më të madhe të trimërisë, të sakrificës e të vetëmohimit për atdheun”, ka theksuar presidentja. Sipas Presidentes Osmani, sakrifica e familjes Jashari qëndron në themelet e lirisë sonë, dhe si e tillë duhet jo vetëm të kujtohet, por edhe të përcillet brez pas brezi, të mësohet nga gjeneratat e reja, nga fëmijët tanë, por edhe nga fëmijët e fëmijëve tanë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë, që ishte pikërisht këtu ku u pagua çmimi më i lartë për lirinë të cilën e gëzojmë sot. “Prandaj, edhe kujtimi i tyre është shndërruar në përjetësi, është shndërruar në udhërrëfyesin dhe dritën më të rëndësishme, në hapat që ne i bëjmë përpara për ta shtyrë Kosovën tonë, shtetin tonë të dashur drejtë sukseseve, dhe nderimi më i madh që ne mund t'ua bëjmë të gjithë heronjve, të gjithë atyre që ranë për vendin tonë do të jetë në qoftë se punojmë mirë, punojmë drejtë dhe punojmë ndershëm për qytetarët tanë, për të gjithë ne që i mbijetuam tmerrit dhe gjenocidit të shkaktuar nga shteti serb”, ka thënë presidentja Osmani.
Në aktivitetet e ditës së sotme, Presidentja ka vendosë buqeta me lule tek Memoriali për të pagjeturit, si dhe tek Monumenti “Heroinat”.
Presidentja Osmani ka thënë se çështja e të pagjeturve duhet të jetë prioriteti numër një në dialogun me Serbinë. Sipas saj, të pagjeturit janë akoma plagë e hapur për Kosovën dhe dhimbje e madhe për të gjithë.
“Prandaj, jo vetëm që ky duhet të jetë prioriteti numër një ndërmjet dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por në anën tjetër duhet të jetë angazhim i çdo ditshëm institucional i secilit prej neve. Sepse përtej politikës e kemi obligim moral dhe njerëzor, sepse përtej politikës Kosova nuk do të mund të ec përpara derisa i kemi edhe 1600 familje që çdo ditë e ndjejnë dhimbjen dhe mungesën e më të dashurve të tyre”, ka theksuar Presidentja.
Ndërkaq te Memoriali “Heroinat”, Presidentja ka thënë se ky monument simbolizon mbi 20 mijë gra e burra të cilët kanë qenë viktimë e një dhune të paraparë nga lufta e fundit në Kosovë.
“Asnjë rast deri më tani 22 vite pas lufta nuk kemi drejtësi në vend që kriminelet të dalin para drejtësia. Andaj të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës i duhet drejtësia dhe për këtë institucionet tona duhet të jenë shembull në trajtimin e mbështetje e të gjithë atyre që kanë përjetuar ferrin por janë shndërruar në shembull force e shtytje përpara të shtetit tonë”, ka theksuar zonja Osmani.