DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani bashkë me ministrin e Shëndetësisë Vitia vizituan Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë në Sallën “1 Tetori”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, sot kanë vizituar Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë, në Sallën “1 Tetori”.

Presidentja Osmani ka thënë se është shumë e lumtur që ka filluar procesi i vaksinimit të qytetarëve tanë, në veçanti të personelit shëndetësor, dhe i personave mbi 80 vjeç.

“Dua t'i falënderoj gjithsecilin nga stafi mjekësor të cilët po e organizojnë këtë proces në mënyrë kaq të mirë, të gjithë ata nga tavolina e parë e deri te e fundit të cilët angazhohen në procesin e regjistrimit, ata që janë në gjendje gatishmërie si ndihmë e shpejt dhe në fund me mjekët dhe motrat ose teknikët meidicinal të cilët merren drejtpërdrejt me procesin e vaksinimit”, ka thënë presidentja Osmani. Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që edhe përkundër faktit që ka filluar ky proces, që të vazhdojë respektimi i masave mbrojtëse.

“Për fat të keq numri i vdekjeve e infeksioneve është i madh, sepse siç po e shihni kjo vala e tretë e ka përshkuar gjithë Evropën, por edhe më gjerë”, ka pohuar Presidentja. Ajo, më tej ka bërë thirrje për një kujdes shumë më të madh nga gjithsecili prej nesh që në radhë të parë ta mbrojmë veten, e mbi të gjitha ta mbrojmë njëri tjetrin. “Pra t'i respektojmë masat, e në ndërkohë t'i japim kohë edhe institucioneve tona, por edhe stafit mjekësor që ta organizojnë vaksinimin për të gjithë. Jemi duke punuar bashkë me qeverinë, në veçanti ministria e Shëndetësisë, që të vijnë edhe kontingjentet e ardhshme të vaksinave, dhe këtu më lejoni që ta bëj një falënderim shumë të veçantë për partnerët tanë ndërkombëtarë me të cilët kemi punuar bashkërisht në mënyrë që të vijë ky kontingjent i parë, dhe me të cilët po punojmë për së afërmi dhe në veçanti qeveria në mënyrë që edhe kontingjentet e tjera të vijnë sa më parë që të jetë e mundur. Ju siguroj që puna e angazhimi nuk do të mungojnë në asnjë moment”, ka potencuar Presidentja Osmani. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.