DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim nxënësit e Institutit Atomi: Ata janë pamja më premtuese e Kosovës, pasuria dhe perspektiva jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pritur në takim nxënësit e Institutit ATOMI. Presidentja Osmani ka thënë se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës do të jenë më mirë kur arsimi të bëhet prioritet në politikbërje e në mendësinë tonë.

“Sot doja që një ndër takimet e para ta realizoj me grupin e nxënësve të Institutit “Atomi”. Ata janë pamja më premtuese e Kosovës, pasuria më e madhe dhe perspektiva jonë. Mendjet e ndritura, këta vajza e djem me dhunti të jashtëzakonshme, me kërkesa mirë të artikuluara e vizion aq largpamës, veçse ma shtuan vendosmërinë që duhet të punojmë akoma me më shumë ngulm për të përmirësuar gjendjen e sistemit arsimor në vend”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, secili nga këta fëmijë do të jetë një shtyllë e fortë e të ardhmes së Kosovës. Ata do të jenë imazhi jonë kudo në botë dhe me sukseset e tyre do të na bëjnë krenar! “I sigurova ata se do të bëjmë gjithçka që mundemi që t`u krijojmë mundësinë që ta kenë një arsim cilësor, jo vetëm atyre por dhe të gjithë fëmijëve në Kosovë, i cili kombinohet në mënyrë të duhur me tregun e punës. Po ashtu u premtova që do bashkëpunoj me prindër e institucionet tjera të identifikojmë edhe shumë shoqe e shokë të tjerë anë e mbanë Kosovës, po kaq mendjemprehtë, po kaq impresionues”, ka theksuar presidentja.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se secili fëmijë e ka një talent, por shpalosja e talentit është individuale: “Me inteligjencën, talentin dhe shkathtësinë do ta ndërtojmë një brez të rinjsh për të tashmen dhe të ardhmen!”. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.