DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës na rikthen kujtimet e plagëve të rënda të shkaktuara ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë viteve të ’90 nga regjimi gjenocidal i Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka marrë pjesë në tubimin dhe marshin solidarizues me Ukrainën, që është organizuar sot në Prishtinë nga organizatat e shoqërisë civile. Presidentja Osmani ka falënderuar të gjithë për prezencën, por mbi të gjitha organizatat e shoqërisë civile për këtë organizim, që sipas saj, edhe një herë e dëshmon se Kosova qëndron fuqishëm me popullin e Ukrainës, siç ka qëndruar përgjatë gjithë historisë me popujt liridashës anekënd botës.

“Natyrisht, se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetarë të Kosovës gjatë viteve të ’90 nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Prandaj, edhe i jemi bashkuar botës demokratike, i jemi bashkuar aleatëve tanë jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar, do të bashkojmë zërin dhe veprimet tona sikurse edhe deri më tani, dhe jam e bindur që sikurse në rastin e Kosovës në vitin ’99, edhe tani në Ukrainë në vitin 2022 do të triumfojë liria dhe demokracia”, ka theksuar Presidentja Osmani.  Sipas Presidentes Osmani, Kosova me të gjitha kapacitetet e saj është e gatshme të pres refugjatë nga Ukraina.

“Që nga dita e parë e agresionit të Rusisë në Ukrainë e kemi iniciuar këtë çështje me institucionet relevante. Tashmë ju e dini që është miratuar edhe një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, dhe institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që janë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina t’i shfrytëzojmë. Në të njëjtën kohë, natyrisht që këtë ia kemi bërë të ditur edhe shteteve të cilat tani kanë më shumë refugjatë, por edhe shteteve tjera aleate. Për më tepër Kosova, ka treguar gatishmëri që t’i jap mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina, në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë, por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë dhe raportimit këtu nga një vend i sigurt, pra nga Republika e Kosovës. Gjithçka që është në dorën tonë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më tutje brenda kapaciteteve që një shtet i vogël si Kosova i ka. Por, të jemi të qartë se është me rëndësi që zëri ynë të dëgjohet në çdo kënd të botës se çfarë ndodhë kur diktatorët ledhatohen dhe se sa e nevojshme është ndihma e aleatëve tanë perëndimor dhe shteteve të tjera paqedashëse në raport me popullin e Ukrainës që tani po bombardohen nga ana e Rusisë”, ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit, po ashtu ka bërë të ditur se si institucione kanë komunikuar me  ambasadat e Ukrainës anekënd botës, sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada. “Ne natyrisht që kemi komunikuar me ambasadat e Ukrainës anekënd botës, sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada. Kemi dërguar mesazhet tona edhe të institucionet qendrore të Ukrainës. Natyrisht, që ata janë të vetëdijshëm për të gjitha masat që i ka ndërmarrë Republika e Kosovës në përkrahje të popullit të Ukrainës, si dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Po ashtu, janë të vetëdijshëm se cili është shteti në rajonin tonë, i cili po vazhdon të qëndrojë përkrah Putinit dhe Rusisë, dhe natyrisht ajo është Serbia”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.