E nderuara familje Jashari,
Baci Rifat, dhe të gjithë ju të pranishëm,
Shumë të dashur pasardhës të denjë të familjes Jashari,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca
I nderuar kryeministër, z. Kurti
Zëvendëskryeministra, ministra, anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuara Shoqata të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës,
Përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot janë bërë njëzet e katër vite nga rënia heroike e familjes Jashari, e cila e rrethuar tri ditë e tri net radhazi nga forca të panumërta të ushtrisë dhe policisë së atëhershme të Jugosllavisë, qëndroi stoikisht, e veproi heroikisht duke mbrojtur pragun e shtëpisë, pragun e Kosovës dhe idealin e lirisë.
Njëzet e katër vite kujtesë e sakrificës së tyre të shenjtë, sakrificë, e cila duhet të kujtohet çdo ditë, sepse pa të nuk do të kishim as lirinë e as shtetin.
Këtë kujtesë do ta përcjellim brez pas brezi, sepse këto rrëfime nuk duhet të mësohen vetëm në libra të historisë, ato duhet të rrëfehen në secilin rast, e në secilën shtëpi.
Kjo, ngase në Kosovë u dëshmua jo vetëm patriotizmi i familjeve, siç ishte familja Jashari, por edhe ligësia e hegjemonive në zemër të Evropës, prandaj duhet të jemi të përkushtuar që ligësitë e tilla t’i parandalojmë.
Sot bëhen njëzet e katër vjet që kur vendi ynë njohu trimërinë dhe guximin e pamasë të kësaj familjeje në luftën e pabarabartë me agresorin.
Përkulemi në këtë ditë para komandantit legjendar, Adem Jashari, para gjithë familjes Jashari dhe para të gjithë heronjve tanë. Kujtojmë dhe nderojmë në këtë ditë të gjithë dëshmorët e martirët që ranë për vendin tonë.
Jehona e guximit dhe trimërisë së Jasharajve kaloi kufijtë e Kosovës, kufijtë e Ballkanit, kufijtë e Evropës e përtej oqeanit Atlantik duke zgjuar kështu ndërgjegjen e shteteve e popujve liridashës, anë e mbanë botës, për një vend të vogël, siç ishte Kosova, por me zemër të madhe.
Nuk do ta harrojmë asnjëherë detyrimin që e kemi ndaj atyre që e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, e sakrifikuan gjithçka për të.
Epopeja e UÇK-së është pjesë e historisë sonë për ta riafirmuar angazhimin tonë për shërbim vetëmohues ndaj vendit.
Duke vepruar kështu, ne jo vetëm që nderojmë kujtimin e atyre para nesh, por gjithashtu zotohemi se do të vazhdojmë trashëgiminë e përsosmërisë dhe atdhedashurisë që ata e treguan, duke punuar fort që fëmijëve tanë t’ua lëmë një vend shumë më të mirë!
Sot, si kurrë më parë në periudhën e paqes në Evropë, instrumente të reja shkatërrimtare dhe sisteme të reja luftarake por me ideologji e mendësi të vjetra, po e kërcënojnë paqen në rajon, e në gjithë Evropën duke e kërcënuar kështu edhe gjithë botën.
Në këtë situatë është e domosdoshme që ne ta forcojmë ushtrinë tonë.
Kjo ushtri e jona është garantuesi më i mirë i sigurisë dhe paqes sonë, dhe ne duhet të jemi krenar për të. Prandaj në kohë sikur këto kur paqja botërore është trazuar na duhet unitet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund t`i dalim përballë sfidave.
Kosova është dhe do të jetë gjithnjë në krah të popujve liridashës e në krahun e demokracisë, mirëpo tendencat hegjemoniste Ruso-Serbe janë prezente edhe në rajonin tonë. Përpjekjet e tyre për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti Kosovën janë evidente. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO e në organizata të tjera ndërkombëtare është më i domosdoshëm se kurrë për të krijuar mundësinë për paqe e stabilitet afatgjatë në rajon e më gjerë.
Përkushtimi ynë i çdoditshëm është Kosova e orientuar kah vlerat euro-atlantike, Kosova me të cilën krenohen qytetarët tanë e me të cilën do të krenoheshin të gjithë ata që ranë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Komandanti legjendar Adem Jashari dhe e gjithë familja Jashari do të mbesin përherë fanar ndriçues në rrugën tonë dhe të brezave që do të vijnë pas nesh.
Zoti e bekoftë familjen Jashari!
Zoti i bekoftë të gjithë të rënët për liri!
I përhershëm qoftë kujtimi për ta!
Faleminderit!