presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti me kabinetin qeveritarë dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Presidentja Osmani ka thënë se jemi sot këtu për ta përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, të cilët treguan një trimëri të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme kur të gjithë ne si qytetarë të Kosovës ishim nën rrethimin gjenocidal të Serbisë.
 
“Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica dërmuese e familjarëve që u vranë ishin gra e fëmijë që tregon që kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën, fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi. Por, përveç thirrjes sonë për drejtësi ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari, sepse ajo çfarë ata bënë për atdheun do të mbes një dritë e cila do të ndriçoj rrugën përpara të brezave të tërë. Prandaj, lavdi dhe përkujtimi i tyre do të jetë i përhershëm”, ka thënë Presidentja Osmani.
 
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se është pikërisht ky moment kur sakrifica kthehet në epope, edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UCK.
 
“Nga ky kuptim mendoj që sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë”, ka thënë Konjufca.
 
Kryeministri Albin Kurti, tha se jemi sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve. Ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991, edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse, dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura”, ka thënë kryeministri Kurti.
 
Pas homazheve, Presidentja Osmani, kryetari Konjufca, kryeministri Kurti janë pritur nga baca Rifat Jashari, në odën e Jasharajve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.