Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar, derisa ka falënderuar Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117.000 vaksina Pfizer.
“Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falënderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar!
Angazhimi ynë institucional për luftimin e pandemisë është fuqizuar vazhdimisht përmes përkrahjes së partnerëve e aleatëve tanë.
Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falënderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur.
Kosova ka arritur një nivel të mirë të vaksinimit dhe qytetarët tanë kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit. Por, kemi ende punë përpara. Siç u dëshmua në vende të tjera, doza e tretë është e domosdoshme për ta parandaluar një valë të re infektimesh.
Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t'i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni!