presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot me nderimet më të larta shtetëror në vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Më pas kanë zhvilluar takimin e përbashkët me të dyja delegacionet, ndërkaq pas takimit, kanë mbajtur konferencë për media. 

Presidentja Osmani ka thënë se kjo vizitë është e veçantë, ngase për herë të parë një President i këtij shteti fqinj e viziton Kosovën në vizitë zyrtare. Sipas Presidentes Osmani shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona, dhe dy popujt tanë, pra populli i Kosovës dhe populli i Maqedonisë së Veriut kanë lidhmëri të mëdha, bashkëpunim të madh në shumë fusha.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut siç e përmenda janë po ashtu shtyllë e stabilitetit, por edhe e shtyrjes përpara të procesit të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ajo ka falënderuar presidentin Pendarovksi për rolin e tij mbështetës në raport me Republikën e Kosovës përgjatë gjithë viteve që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbej tani si President, por jo vetëm atë, gjithë shtetin e Maqedonisë së Veriut për kontributin e dhënë në mënyrë që Kosova të ec përpara në sfidat me të cilat është ballafaquar në arenën ndërkombëtare. 

E para e vendit ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë interesa të njëjta strategjike sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. 

“Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e NATO-s, aty ku ne synojmë të anëtarësohemi dhe ku meritojmë të anëtarësohemi, sepse një proces i tillë do të kontribuonte edhe më tej për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por, procesi i integrimit evropian po ashtu mbetet prioritet mbi prioritetet dhe është një proces që na bashkon ku ne e ndihmojmë dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëri-tjetrin” ka vijuar më tej Presidentja. 

Presidentja Osmani ka thënë se edhe përkundër faktit që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizave, Bashkimi Evropian ende nuk e ka mbajtur premtimin. 

Më tej ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut nuk e shohim vetëm një fqinj, por edhe partner në shumë procese. “Të dyja synojmë integrimin evropian, prandaj shpresoj që mbështetjen verbale të deritanishme BE-ja ta shndërroj në veprime konkrete për ta përkrahur edhe ecjen përpara me hapa konkret të Maqedonisë së Veriut drejt këtij organizmi dhe këtyre institucioneve të BE-së. Ne po ashtu presim edhe më tutje siç e kemi pasur deri tani përkrahjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Presidentja Osmani. 

Në kontekst të zhvillimeve rajonale, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova dhe rajoni jonë akoma ballafaqohet me rreziqet e mëdha në fushën e sigurisë për shkak të tendencave destabilizuese të Rusisë nëpërmjet Serbisë në rajonin tonë. 

“Si Republikë e Kosovës jemi të përkushtuar në mënyrë që jo vetëm të refuzojmë ndikime të tilla dashakeqe, por të punojmë më të gjithë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që të parandalohen ndikime të tilla destabilizuese. Rajonit tonë i duhet ecje në hapa konkret drejt integrimit evropian, por në të njëjtën kohë i duhet paqe dhe stabilitet afatgjatë i cili në asnjë mënyrë nuk mund të arrihet në qoftë se depërton ndikimi dashakeq i Rusisë nëpërmjet trampolinës së vet Serbisë”, ka theksuar Presidentja. 

Ajo ka thënë se do të punojmë me të gjithë ata që e duan më të mirën për rajonin tonë, që e duan paqen e vërtetë dhe jo vetëm atë në letër, dhe se sipas saj, në këtë drejtim ne gjithnjë e kemi parë një partner të fuqishëm në Maqedoninë e Veriut. 

“Shpresoj shumë që me kalimin e kohës do të rritet edhe shkëmbimi tregtar, do të rritet bashkëpunimi kulturor, bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, në arsim, bujqësi, rini, sport, turizëm, inovacion e teknologji ku të dyja shtetet tona po kanë sukses të jashtëzakonshëm. Potenciali është aty, njerëzit tanë dëshirojnë bashkëpunim sa më të madh, na takon neve si liderë politik që këtë bashkëpunim ta mundësojmë e ta thellojmë”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se me Presidenten Osmani kishte një bisedë të sinqertë dhe konstruktive për forcimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.

“Maqedonia e Veriut i mbështetë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe në këtë kontekst jemi në dispozicion që t’i tregojmë përvojat tona si në rrugën drejt Bashkimit Evropian ashtu edhe në raport me aspiratat për integrim në NATO. Anëtarësimi në këto dy organizata nënkupton stabilizim dhe prosperitet të mëtutjeshëm për rajonin. Një komponentë jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë rrugë është bashkëpunimi rajonal.”, ka thënë Presidenti Pendarovski.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.