Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca u pritën nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla në Dubovik, ku nderuan kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.
Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!
Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët.