presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me baroneshën Catherine Ashton

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, zhvilloi sonte një bisedë telefonike me përfaqësuesen e lartë të BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton, në vazhdimësi të arritjes së marrëveshjes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic.

Presidentja Jahjaga e ka përgëzuar baroneshën Ashton për punën e jashtëzakonshme në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet kryeministrave të të dyja shteteve, i cili u përmbyll suksesshëm me arritjen e marrëveshjes me të cilën mbyllet një kapitull i së kaluarës dhe u hap një e ardhme e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve fqinj. Presidentja Jahjaga theksoi se me këtë po realizohet parimi europian i bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor që ndihmon të dyja vendet në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo shprehu gatishmërinë për të ndihmuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe i dha përkrahje baroneshës Ashton në jetësimin e marrëveshjeve të arritura. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Ashton, duke e falënderuar presidenten Jahjaga, theksoi se procesi i dialogut sado i vështirë të ketë qenë, në fund ka arritur rezultat me përfundimin e një marrëveshjeje të rëndësishme. Ajo tha se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog është i rëndësishëm dhe ato do të ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.