Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, së bashku me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, vizitoi në spitalin Ushtarak të Tiranës studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, të cilat i mbijetuan aksidentit të rëndë të trafikut në Himarë.
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Topi biseduan me studentet e mbijetuara të aksidentit, të cilave u shprehën ngushëllime për humbjen e bashkëmoshatareve të tyre në aksident dhe u shprehën dëshirat për shërim sa më të shpejtë. ”Është një tragjedi e madhe, por duhet të keni vullnet, të keni gjithmonë parasysh shëmbëlltyrën e kolegeve tuaja, synimet dhe përkushtimet që i keni ndarë së bashku. Kjo duhet t’ju jap forcë që të përballoni dhimbjen dhe të angazhoheni në jetën tuaj. Shpreh një falënderim të posaçëm për angazhimin e ekipeve dhe për personelin mjekësor dhe për solidaritetin e treguar të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”, tha gjatë vizitës Presidentja Jahjaga.Ndërsa, në një deklaratë për media, pas vizitës në Spitalin Ushtarak, Presidentja Jahjaga u shpreh: “Shpreh ngushëllimet e thella të popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ngushëllimet e miq, familjarëve, popullit të Shqipërisë dhe juve President Topi . Bashkëndjejmë dhembjen e madhe që na ka kapluar për këtë tragjedi të rëndë. Jemi me familjarët dhe të afërmit në kurajën e tyre që të gjejmë forcë e ngushëllim, duke pasur gjithmonë kujtimin për më të dashurit tanë, për rininë e tyre, për ëndrrat ë tyre”.