Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo takoi dy nënat që lindën fëmijët e parë të vitit 2014 në këtë qendër, si dhe i uroi ato, duke iu dëshiruar jetë të gjatë dhe të lumtur të dy djemve.
“I dëshirova jetë të gjatë dhe të lumtur fëmijës së parë të lindur në vitin 2014. Përgëzova nënën për lindjen e fëmijës, kurse Nardit të vogël dhe Ronit, sepse i kemi dy fëmijë që kanë lindur brenda disa minutave brenda vitit 2014, ju dëshirova jetë me plot suksese një të ardhme të mirë, një të ardhme me plot të mira për ata dhe familjet e tyre dhe për të gjithë rrethin e tyre”, tha Presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga gjithashtu përgëzoi mjekët dhe personelin tjetër në QKUK për angazhimin dhe përkushtimin tyre.
“Njëherit i përgëzova personelin dhe stafin e Gjinekologjisë të udhëhequr nga drejtoresha, për një punë të palodhshme që e kanë dhënë gjatë natës së ndërrimit të motmoteve, por edhe gjatë gjithë vitit që japin në kuadër të kësaj qendre, por edhe në të gjitha qendrat tjera ne shtetin tonë. Dëshiroj dhe shpresoj që këtë vit ta kalojnë në mbarësi, në mirëqenie dhe suksese për të gjithë qytetarët tonë. Gëzuar dhe për shumë mote”, tha Presidentja Jahjaga.