Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vazhdoi edhe sot vizitat nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës për fuqizimin e zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve vendore dhe krijimin e kushteve për investimet e huaja në vendin tonë.
E shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, Presidentja Jahjaga vizitoi fillimisht komunën e Novobërdës, ku u prit nga kryetari i komunës, Svetislav Ivanovic. Ai e njoftoi Presidenten Jahjaga dhe drejtuesit e odave ekonomike me specifikat e zhvillimit të komunës që drejton, me hapat e ndërmarrë në drejtim të përkrahjes së bizneseve, por edhe me problemet me të cilat përballet komuna dhe bizneset që aktivitetin e zhvillojnë në këtë regjion.Në vazhdim, Presidentja Jahjaga shkoi për vizitë në komunën e Kaçanikut. Kryetari i komunës, z.Besim Ilazi elaboroi në takim gjendjen e përgjithshme në komunën që drejton, raste specifike të punës së bizneseve, por edhe vështirësitë e problemet me të cilat përballen ato, duke kërkuar mbështetje si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga organizimet që përfaqësojnë bizneset, për të siguruar një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, që do të mundësonte më shumë vende pune dhe mirëqenie për banorët.Pas takimit, Presidentja Jahjaga vizitoi fabrikën “Kivo” në këtë qytet, e cila prodhon ambalazhe fleksibile plastike, ndërsa është ndërtuar me kapital holandez-kosovar.Drejtuesit e saj e njoftuan Presidenten Jahjaga me punën që kryhet në këtë fabrikë, perspektivën e investimit holandez-kosovar dhe vështirësitë me të cilat përballen.Komuna e tretë në të cilën qëndroi sot Presidentja Jahjaga është ajo e Hanit të Elezit. Rufki Suma, kryetar i kësaj komune paraqiti gjendjen e përgjithshme në komunë, me specifikat që ngërthen ajo. Ai foli gjithashtu për probleme me të cilat përballen bizneset që veprojnë në këtë komunë dhe përpjekjet e pushtetit lokal për t’i dalë në ndihmë atyre.Në një deklaratë bërë pas vizitës në Han të Elezit, Presidentja Jahjaga theksoi:Së bashku me tri odat ekonomike, Odën Ekonomike të Kosovës, atë Amerikane dhe atë Gjermane patëm një takim jashtëzakonisht të mirë me kryetarin, ku u njoftuam për së afërmi në lidhje me gjendjen ekonomike në komunën e Hanit të Elezit. Diskutuam edhe për vështirësitë, sfidat me të cilat po ballafaqohet kryetari dhe menaxhmenti i komunës, por edhe për mundësitë të cilat i ofron komuna. Ato çfarë dëgjuam, sidomos sa i përket sfidave, nuk ndryshojnë edhe aq shumë prej komunave të tjera, që kryesisht ndërlidhen me aspektin e pronave, me aspektin e procedurave burokratike dhe po ashtu probleme të tjera të sundimit të mirëfilltë të rendit dhe ligjit dhe veçanërisht të luftës efikase kundër korrupsionit.Specifikë e kësaj komune dhe komunës së Kaçanikut, që e vizituam më herët, është përqindja e madhe e rinisë, që është specifike në gjithë vendin tonë, por këtu në këto komuna është më e theksuar përqindja e rinisë dhe ne duhet t’i kushtojmë një rëndësi më të madhe hapjes së perspektivës më të madhe për të rinjtë tanë, që ata të mos e shohin të ardhmen e tyre sidomos në ato kauza të cilat jo vetëm janë rrezik për sigurinë tonë kombëtare, por janë rrezik edhe për vetë jetën e tyre. Sektori privat ka një rol të rëndësishëm në këtë, që të ofrojë një perspektivë më të mirë për të rinjtë tanë.