Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga zëvendëskryeministri e ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, vizitoi sot Komunën e Mamushës, ku u prit nga kryetari i saj, Arif Bytyq dhe zyrtarë të tjerë komunalë, si dhe takoi përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të ndryshme që promovojnë respektimin e të drejtave gjinore, si dhe të drejtave të komuniteteve.
Në një takim të veçantë me kryetarin Arif Bytyq dhe me udhëheqjen komunale, Presidentja Jahjaga tha se komuna e Mamushës është një shembull i mirë i ndërtimit të pushtetit lokal, me traditë në ekonomizim, me nisma të mira të kompanive private, dhe me bujq të vyeshëm. Presidentja Jahjaga theksoi në vijim se në kuadër të politikave zhvillimore do t’i gjejmë të gjitha format, si të subvencionimit ashtu edhe të mbrojtjes dhe të plasimit të prodhimeve tona vendore. Më nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të gjitha prodhimet kosovare që i plotësojnë standardet e caktuara do të mund të plasohen në tregun evropian dhe kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ne. Jemi të interesuar që në kuadër të marrëveshjeve bilaterale këtu të kemi investime nga Republika e Turqisë, por gjithashtu që ky shtet të ndihmojë në zhvillimin e kulturës dhe traditës dhe vlerave të tjera nacionale të popullit turk në Kosovë, tha Presidentja Jahjaga. Kryetari i komunës së Mamushës, zotëri Arif Bytyq, e vlerësoi lart vizitën e Presidentes Jahjaga në këtë komunë dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së saj në të gjitha fushat. Ai e njoftoi Presidenten Jahjaga me të arriturat në këtë komunë që prej themelimit të saj në vitin 2005. Zotëri Bytyq tha se komuna e Mamushës është një shembull model i një komune të suksesshme të krijuar me procesin e decentralizimit dhe tha se kjo komunë ka nevojë të përkrahjes sidomos në fushën e bujqësisë por edhe në projekte të tjera të rëndësishme për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj komune. Edhe në Mamushë, Presidentja Jahjaga bashkëbisedoi me qytetarët dhe me përfaqësuesit e bizneseve, dhe u njoftua me rezultatet e tyre dhe vështirësitë me të cilat ata përballen, duke u premtuat atyre përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të vendit. Presidentja Jahjaga vizitoi edhe një serrë pronë private e një familjeje të Mamushës.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN