Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Rahovecit, ku u takua me udhëheqjen e kësaj komune, si dhe vizitoi fshatin Hoçë e Madhe.
Gjatë vizitës në Rahovec Presidentja Jahjaga u shoqërua nga zëvendëskryeministri e ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq. Në komunën e Rahovecit, Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim me kryetarin e saj z.Smajl Latifi, nga i cili u njoftua për zhvillimet në Rahovec dhe sfidat me të cilat përballet pushteti lokal dhe banorët. Zotëri Latifi theksoi nevojën e mbështetjes së kësaj komune për projektet e nisura që do të ndihmonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune. Presidentja gjithashtu zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të ndryshme që promovojnë respektimin e të drejtave gjinore, si dhe të drejtave të komuniteteve në Komunën e Rahovecit. Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se në gjithë procesin e zhvillimit demokratik të vendit është i rëndësishëm funksionimi i pushtetit lokal, ofrimi i shërbimeve të nevojshme për të gjithë qytetarët, si dhe një komunikim i drejtpërdrejtë i qytetarëve me pushtetin dhe i pushtetit me qytetarin, në mënyrë që në kohë dhe saktë të njoftohen për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe për problemet dhe hallet e qytetarëve në mjedisin ku jetojnë dhe punojnë.“Qeverisja është një gërshetim i planifikimit, i dëshirave dhe i mundësive, por gjithsesi është një vizion i qartë se ku dëshirojmë të shkojmë dhe si dëshirojmë t’i realizojmë qëllimet tona. Begatia e demokracisë është se qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë i zgjedhin përfaqësuesit e vet, por po aq e rëndësishme sa kjo është kontrolli demokratik mbi qeverisje”, theksoi Presidentja Jahjaga.Ajo tha se shoqëria në Kosovë është e interesuar që sa më shumë të drejta dhe kompetenca të delegohen në nivelin lokal, sepse me këtë thjeshtohen çështjet, krijohet një koncept i demokracisë së drejtpërdrejtë në këtë mënyrë më lehtë evidencohen çështjet dhe përcaktohen prioritetet.“Unë kam ardhur t’ju jap përkrahje dhe gjithashtu t’ju dëgjoj për preokupimet e juaja dhe të krijojmë mekanizma të përhershëm të bashkëpunimit dhe të realizimit te kërkesave dhe projekteve”, u shpreh Presidentja Jahjaga.Do të vizitojmë edhe Hoçën e Madhe dhe ju e dini që një ligj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare tashmë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. E di se ju në komunën e Rahovecit keni pasur kundërshtime për këtë dhe kam mirëkuptim për arsyet dhe shqetësimin e shprehur, mirëpo kërkoj që të na mirëkuptoni dhe të na jepni përkrahje, sepse Kosova si shtet është përcaktuar për një model të zhvillimit, duke respektuar parimin qytetar, por gjithashtu duke respektuar veçoritë e të gjitha komuniteteve, tha në vijim Presidentja Jahjaga. Këto janë vlera jo vetëm të Kosovës, por janë vlera edhe evropiane dhe në këtë e kemi mbështetjen e fuqishme si të shteteve të BE-së ashtu edhe të SHBA-ve. Ne shqiptarët jemi shumë të ndjeshëm në këto çështje, sepse kemi pasur një të kaluar të hidhur në mbrojtjen e trashëgimisë dhe veçorive tona si popull, prandaj i kuptojmë më mirë se kushdo shqetësimet e komuniteteve të Kosovës dhe jemi të gatshëm dhe kemi treguar gatishmërinë që si popull, por para së gjithash si shtet, t’i garantojmë me ligje dhe kushtetutë këto të drejta burimore që në asnjë rast nuk mund të mbivotohen nga askush, tha Presidentja Jahjaga.Kosova ka popuj, kultura dhe besime të ndryshme. Kjo është pasuri e jona, gërshetim i vlerave për të cilat jemi krenarë dhe për të cilat jemi dëshmuar me një tolerancë dhe mirëkuptim shumëshekullor, vlerësoi Presidentja Jahjaga.Jam që çështjet të thuhen drejt dhe me sinqeritet, mirëpo ajo për të cilën merremi vesh të zbatohet me përpikëri, sepse vetëm kështu mund të ecim përpara duke pasur besimin e plotë në mes veti, ndërsa çështjet për të cilat në momentin e caktuar nuk kemi harmonizim të plotë të pikëpamjeve nuk duhet të ndikojnë në punën, por për to duhet vazhdimisht të punojmë dhe t’i harmonizojmë brenda institucioneve. Normalisht duke respektuar hierarkinë e pushteteve dhe kompetencave të institucioneve, tha ndër të tjera Presidentja Jahjaga.Gjatë qëndrimit në fshatin Hoçë e Madhe, Presidentja Jahjaga vizitoi kishën ortodokse të fshatit, ku bisedoi me priftin e kësaj kishe. Ajo vizitoi edhe bodrumin e verës, pronë e familjes Petroviq që jeton në Hoçë të Madhe, ku u njoftua për ecurinë e punës dhe për nevojat e kërkesat e kësaj familjeje. Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Hoçë të Madhe u takua edhe me banorë të fshatit me të cilët bashkëbisedoi për nevojat e kërkesat e tyre për investimet në infrastrukturë dhe fusha të tjera..Presidentja Jahjaga ofroi përkrahjen e saj për banorët e këtij fshati. Në vizitën në Hoçë të Madhe Presidentja Jahjaga ishte e shoqëruar nga zëvendëskryeministri, zotëri Slobodan Petroviq dhe kryetari i komunës së Rahovecit, zotëri Smajl Latifi.