Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi sot Komunën e Shtërpcës, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Bratisllav Nikoliq dhe nënkryetari Beqir Fejzullahu.
Presidentja Jahjaga u njoftua nga udhëheqja komunale e Shtërpcës për mbarëvajtjen e punëve në këtë komunë, projektet zhvillimore të saj, si dhe për problemet me të cilat përballet kjo komunë.Kryetari Nikoliq dhe nënkryetari Fejzullahu e njoftuan Presidenten Jahjaga me aktivitetet që zhvillohen në këtë komunë dhe theksuan se ajo është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në gjithë Kosovën.Kryetari Nikoliq tha se komuna e Shtërpcës ka arritur rezultatet të mira, posaçërisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në rregullimin e infrastrukturës, si dhe në projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe të turizmit malor.Ai tha se komuna e Shtërpcës ka nevojë për një mbështetje institucionale, posaçërisht në avancimin e projektet për qendrën e skijimit në Brezovicë dhe për ndihmë fermerëve vendorë.Presidentja Jahjaga tha se ka ardhur në Shtërpcë për të parë zhvillimin e kësaj komune dhe problemet me të cilat ballafaqohet ajo dhe për të ofruar mbështetjen e saj në zhvillimin e mëtutjeshëm.Ajo tha se Komuna e Shtërpcës është një komunë me shumicë etnike serbe, në të cilën bashkëjetojnë serbët dhe shqiptarët dhe marrin pjesë në qeverisjen komunale nëpërmjet partive te ndryshme politike.Pasi theksoi se dje ka dekretuar datën e zgjedhjeve të ardhshme komunale, të cilat do të mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se Komuna e Shterpces është një shembull i mirë i pjesëmarrjes në zgjedhje të të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo shtoi se pjesëmarrja e komuniteteve e dëshmon se qytetarët janë përgjegjës për politikat dhe për përgjegjësitë dhe kompetencat që me Kushtetutë dhe me ligje jane bartur në komuna.Në një deklaratë bërë pas takimit, Presidentja Jahjaga theksoi:Došla sam ovde, u Skupštini Opštine Štrpce. Imali smo veoma dobar sastanak sa predsednikom i sa svim strukturama opštine ovde u Štrpce. Razgovarali smo za razvoj i dobrobit ovog kraja.Me kryetarin dhe me të gjithë stafin e tij patëm një bisedë jashtëzakonisht të mirë lidhur me të gjitha zhvillimet në komunën e Shtërpcës, me projektet e tyre, por gjithsesi edhe me problemet me të cilat ballafaqohet komuna këtu dhe duke dhënë përkrahjen time për gjitha projektet zhvillimore për komunën e Shtërpcës. Komuna e Shtërpcës është një shembull i mirë, është një komunë me shumicë etnike serbe, ku bashkëjetesa në mes të qytetarëve shqiptarë dhe serbë gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë një vlerë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një shembull i mirë edhe për të gjitha komunat e tjera, e cila është e përfaqësuar po ashtu edhe në mënyrën e qeverisjes apo kontributit në qeverisjen e përbashkët në nivel komunal përmes partive të ndryshme politike që janë përbrenda kësaj komune. Gjithmonë më ka gëzuar fakti për komunën e Shtërpcës që kanë pasur një grua që ka qenë nënkryetare e komunës, që është hap jashtëzakonisht i madh, ka qenë rasti unik që ka pasur komuna e Shtërpcës, që ndikon pozitivisht në avancimin e rolit të gruas. Unë shpresoj, dhe i thash edhe kryetarit në takim, që në të ardhmen do të hasim jo vetëm në një nënkryetare grua, por dy e edhe më shumë, edhe në komuna të tjera të Kosovës. Siç e dini, unë dje kam dekretuar mbajtjen e zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Me marrëveshjen e cila është arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, është arritur pajtimi që zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetar të komunave të mbahen edhe në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së veriut. Nëpërmjet procesit të zgjedhjeve qytetarët do të mund të zgjedhin përmes votës së tyre, pa dallime, përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë. Shtërpca është një shembull jashtëzakonisht i mirë i pjesëmarrjes në zgjedhje pa dallime të të gjithë qytetarëve dhe në mënyrë sa më masive. Komuniteti dhe popullata serbe është e integruar si në jetën shoqërore e po ashtu edhe në atë institucionale dhe janë zot dhe zotnues të fatit të tyre përmes institucioneve lokale dhe përmes atyre qendrore. Këtë shembull të mirë e kemi hasur edhe në komunën e Graçanicës, Kllokotit, Novobërdës dhe të gjitha komunat e tjera dhe ky shembull shpresoj që të vazhdohet edhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës që me daljen dhe me pjesëmarrjen sa më masive të qytetarëve në zgjedhje, të mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre që mund t’i përfaqësojnë në mënyrë legale dhe legjitime. Me këtë rast, dëshiroj që t’u bëjë ftesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, që të marrin pjesë në mënyrë sa më masive në zgjedhje të lira, në zgjedhje demokratike dhe në zgjedhje të ndershme, që të ushtrojnë të drejtën e tyre që t’i zgjedhin përfaqësuesit që flasin në emër të tyre dhe që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së tyre dhe mirëqenies së tyre. Gjithmonë prezenca e Presidentit të vendit në komuna të ndryshme përbrenda territorit të vendit i kontribuon zhvillimit ekonomik, i kontribuon zhvillimit të infrastrukturës, i kontribuon edhe tërheqjes së investimeve dhe gjithmonë kjo shkon në kontributin e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Në vijim Presidentja Jahjaga u përgjigj në pyetjet e gazetarëve:RTK: E përmendët më herët që dje e keni dekretuar 3 nëntorin për zgjedhje lokale. Disa parti e kanë mirëpritur këtë datë, por ka pasur edhe kundër. Psh. Lëvizja Vetëvendosje thotë që Presidentja ka rishpallur datën që e ka shpallur kryeministri serb, Dacic. Tani, a e keni shpallur ju këtë datë apo kryeministri Dacic?Presidentja Jahjaga: Shpallja e datës së mbajtjes së zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës është konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe, siç e dini, afatet kushtetuese fillojnë nga data 15 gusht deri me 15 dhjetor, dhe të gjitha veprimet janë konform kushtetutës dhe ligjeve. Marrëveshja e cila është arritur në Bruksel, ku është arritur edhe pajtimi për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, është një proces shumë pozitiv, sepse për herë të parë në territorin e Republikës së Kosovës mbahen zgjedhjet në gjithë territorin e vendit dhe për mua si Presidente e vendit është me rëndësi që të kemi zgjedhje të lira, demokratike, të kemi zgjedhje fer, që te kemi pjesëmarrje sa më masive të gjithë qytetarëve dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë që përmes votës së tyre t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim. Klan Kosova: Presidente, a do ta nënshkruani Ligjin për Amnistinë, edhe pse thuhet se ky ligj do t’i amnistojë shumë krime sidomos në veri?Presidentja Jahjaga: Ky ligj është ende në proces, ende nuk ka ardhur në Zyrën e Presidentit të vendit dhe është ende në mekanizmat në kuadër të komisioneve parlamentare dhe Parlamentit dhe kur të vij në zyrën time, besoj se do ta keni një përgjigje të duhur. RTK: A prisni që zgjedhjet do të shkojë siç i keni paramenduar, ngjashëm si në gjithë territorin e vendit, dhe a prisni se do të ketë probleme?Presidentja Jahjaga: Insistimi im dhe i të gjitha institucioneve të vendit është që zgjedhjet lokale të mbahen në gjithë territorin e vendit dhe të jenë zgjedhje të lira dhe demokratike.