Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të pestë të pavarësisë.
Në urim thuhet:Të gjithë qytetarëve të vendit Ju uroj pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me dëshirat më të mira që këtë përvjetor jubilar ta festojmë me suksese, ta festojmë në gëzime me familjet tona dhe me miqtë.Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës është një akt i suksesit tonë, i rrugës së gjatë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë. Janë përpjekjet e shumë brezave, puna, angazhimi dhe përkushtimi i tyre sublim që atdheu ynë të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Në këtë rrugë tonën, të shprehjes së lirë të vullnetit të popullit, ne e kishim përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, për të ndërtuar një shoqëri të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, me të drejta të plota për të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare që konsiderohet vlerë e jona e diversitetit kulturor.Në këtë ditë e shprehim falënderimin tonë për misionet ndërkombëtare që gjatë gjithë këtyre viteve janë angazhuar në Kosovë, KFOR-in, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, Ambasadat dhe Përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera dhe të gjitha misionet e tjera, që me punën e tyre kanë kontribuar në përparimin e Kosovës.Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti, shembull i mirë i bashkëpunimit fqinjësor dhe bilateral ndërmjet shteteve dhe popujve.Ta festojmë këtë përvjetor me suksese në të gjitha fushat e jetës dhe të punës, në përparim dhe në zhvillim e mirëqenie.Atifete JahjagaPresidente e Republikës së Kosovës