DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës

Është një nder i madh për secilin prej nesh që prej këtu – prej këtij vendi – ku pesë vjet më parë të zgjedhurit e popullit, kanë shpallur pavarësinë e Kosovës, të shënojmë këtë ditë historike, këtë vepër madhore të brezave të tërë.

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi,Të nderuar deputetë,Të nderuar deputetë të legjislaturës së vitit 2008, që shpallët pavarësinë e Kosovës,I nderuar kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.ThaçiTë nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra,I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Nishani,E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj.Topalli,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuara familje të dëshmorëve dhe aktivistëve që kontribuuan për Kosovën e pavarur,Të nderuar, liderë të partive politike në Kosovë dhe në vende të rajonit,Të nderuar udhëheqës të Bashkësive Fetare në Kosovë,Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj,Është një nder i madh për secilin prej nesh që prej këtu – prej këtij vendi – ku pesë vjet më parë të zgjedhurit e popullit, kanë shpallur pavarësinë e Kosovës, të shënojmë këtë ditë historike, këtë vepër madhore të brezave të tërë.Të kremtojmë këtë akt të shpalljes së pavarësisë që e bëmë me miqtë tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian. Prej këtu nis një kapitull i ri i historisë së shtetit më të ri në Evropë, me një të kaluar të rëndë përplot sakrifica, por me synimin për të qenë pjesë e barabartë e botës së përparuar, një vend i begatë e i zhvilluar, i drejtë dhe i sigurt, për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë.Shpallja e pavarësisë së një vendi nga ata që përfaqësojnë qytetarët e tij, është akti më madhor, është vepra më fisnike dhe më e lartë. Ky është hap që siguron të ardhmen e qetë dhe të përparuar të qytetarëve të vendit dhe gjithsesi vendos bazën e zhvillimit e të mirëqenies së tyre. Historia e pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët është e re. Ajo është pjesë e secilit qytetar të Kosovës dhe e secilës gjeneratë. Është hap madhor në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit dhe në forcimin e sigurisë e të partneritetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Për më shumë, është hap konkret i mirëkuptimit mes nesh – Qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është shtet i miqësisë së përjetshme me SHBA-në dhe i partneritetit me vendet e BE-së.Në këto pesë vite të shtetësisë, Republika e Kosovës ka ngritur institucionet e saj demokratike dhe funksionale, institucione gjithëpërfshirëse, me angazhim të vazhdueshëm për mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe për të ardhmen e tyre. Konsolidimi i shtetit është thelbi i punës sonë dhe Kosova tashmë është shndërruar në pjesë të pandashme të zhvillimeve ndërkombëtare.Proceset në Kosovë janë të pakthyeshme dhe realiteti i shtetit tonë është bërë i njohur dhe i pamohueshëm. Ligjshmëria e Pavarësisë së Kosovës është vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me vazhdimin e njohjes së mëvetësisë së saj nga pothuaj gjysma e botës. Dhe në këtë pesë vjetor mëvetësia e shtetit tonë është bërë më e plotë me heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe marrjes së përgjegjësisë për të gjitha çështjet nga vetë institucionet e qytetarët e Kosovës.  Ne kemi shumëçka për të treguar si një vend i ri – një histori suksesi e përbashkët edhe me faktorin ndërkombëtar, një shtet që po vendos bazat e demokracisë duke tejkaluar ngadalë problemet e tranzicionit.  Ky është shtet qytetar i kapaciteteve dhe mundësive të mëdha, shtet i të barabartëve – qytetarëve që me djersën dhe punën e tyre kanë ndërtuar çdo pjesë të këtij vendi – të vendit të tyre!  Kjo është e përbashkëta e Republikës së Kosovës – e njerëzve të saj që kanë sakrifikuar dhe po sakrifikojnë për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më të begatë, një jetë të dinjitetshme si qytetarë të Evropës së Bashkuar.  Por rruga e ndërtimit të shtetit është sa e vlefshme dhe e ndershme po aq edhe e vështirë. Në këtë pesëvjetor ne kemi shumë arsye për të festuar por edhe më shumë punë për të bërë për të vendosur themelet e fuqishme të zhvillimit dhe të përparimit.  Shteti që po ndërtojmë bazohet mbi platformën e shtetit të së drejtës, ku sundimi i ligjit dhe rendi janë shtyllat themelore të tij. Ky shtet ligjor, me një sistem të reformuar të drejtësisë, do të hapë dyert e përparimit dhe të integrimit në familjen evropiane, si dhe do të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë së tregut. Por, ne duhet të thellojmë luftën tonë kundër dukurive negative, krimit të organizuar e korrupsionit dhe duhet të dëshmojmë se atë mund ta fitojmë.  Gjeneratat e ardhshme do t’na gjykojnë në bazë të punës sonë të tashme dhe sukseseve që do të arrijmë. Ne kemi forcë dhe aftësi, kemi guxim për ta fituar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Kjo është beteja për shtetin tonë dhe për të ardhmen e tij. Të nderuar deputetë,  Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Bashkimi Evropian është synim yni. Kjo është alternativa e vetme që kemi dhe rruga drejt tij është e pandalshme dhe e pamohueshme. Perspektiva jonë e integrimit evropian është e qartë dhe atë do ta kalojmë të gjithë së bashku – Ne Qytetarët e Republikës së Kosovës.Kjo është e përbashkëta e të gjithë neve, pa dallim, dhe ky është qëllimi ynë.  Ne kemi dëshmuar se jemi faktor i paqes dhe stabilitetit. Kemi dëshmuar se jemi promotor të fqinjësisë së mirë dhe promovues të vlerave demokratike. Shtet që respekton sovranitetin e të tjerëve dhe që kërkon vendin e merituar në Bashkimin Evropian, në mesin e popujve të lirë e të barabartë. Rruga drejt familjes evropiane, e të gjithë neve, shteteve të vogla të Ballkanit Perëndimor do të jetë më e lehtë dhe më e sigurt vetëm duke e ndihmuar njëri-tjetrin.  Zgjidhjet i kemi kërkuar vetëm përmes dialogut, si mënyrën më të mirë për të arritur rezultate që bazohen në përvojat dhe standardet evropiane dhe që respektojnë integritetin e secilit shtet. Zgjidhjet po i kërkojmë për të mirën e qytetarëve tanë, për lehtësimin e jetës së tyre dhe për një të ardhme më të mirë. Dialogut nuk i frikësohemi dhe kemi hyrë në të me vullnetin për ta përfunduar më shpejt një kapitull të rëndë të marrëdhënieve të vështira me Republikën e Serbisë. Dialogu nuk po zhvillohet për ta ndarë Kosovën, as për të krijuar enklava të veçanta të askujt, as autonomi e statuse të posaçme. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe me standarde evropiane. Respekti i ndërsjellë, si dy shtete sovrane e të pavarura, do të na ofrojë më shumë me BE-në dhe do ta zbehë kundërshtinë mes nesh.  Historinë nuk mund ta zhbëjmë, por le ta ndërtojmë të tashmen në paqe, për hir të së ardhmes.  Republika e Kosovës është realitet i pamohueshëm. Një proces i pakthyeshëm. Vullnet i realizuar i qytetarëve të saj. Një tërësi tokësore e pandashme dhe e garantuar ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës është shtet i të gjithë atyre që jetojnë në kufijtë e saj, pa dallim, shtet i bazuar në parimin qytetar me të drejta dhe liri të garantuara por edhe me përgjegjësi për secilin.  Oferta për secilin qytetar është e thjeshtë dhe e qartë – shteti ynë është i përbashkët dhe atë do ta ndërtojmë për të mirën tonë. Për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara. Vendosja e sundimit të ligjit dhe e rendit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore për zhvillimin e saj në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë të komunitetit serb. Alternativa jonë është e përbashkët – në kuadër të shtetit të Kosovës, me të drejta të barabarta dhe të pamohueshme për secilin qytetar dhe me lirinë e garantuar për ta. Kufijtë nuk do të ndryshojnë. Dialogu me qytetarët tanë të secilit komunitet, por edhe të komunitetit serb, posaçërisht atij në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve, do të mundësojë ecjen përpara. Nezavisnost Kosova je vasa nezavisnost. Buducnost se gradi zajedno sa svim drugim gradjanima Kosova. Ova je i vasa domovina za koju cete biti ponosni. Dajte da pruzimo ruku saradnje da izgradimo sadasnjost u miru zarad buducnosti.Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Kjo festë e pesë vjetorit le të na bëjë bashkë. Ta ndajmë këtë gëzim mes nesh, me miqtë tanë që na kanë ndihmuar në çdo hap, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Duke e kujtuar secilin që ka sakrifikuar e punuar për të tashmen tonë. Le të tregojmë se ne jemi qytetarë që e ndërtojmë pa frikë të ardhmen – të sigurt dhe në paqe me të gjithë. Kjo është dita jonë të cilën do ta gazojmë së bashku dhe për të cilën ndjehemi krenarë. Zoti ju bekoftë ju. Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.