presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan

Abu Dhabi, 17 janar 2012 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku po merr pjesë Samitin Botëror për të Ardhmen e Energjetikës, zhvilloi sot një takim të veçantë dhe shumë miqësor me sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan, në patronazhin e të cilit po mbahet edhe samiti.

Presidentja Jahjaga dhe sheiku Mohamed bin Zayed al Nahyan biseduan për një varg çështjesh më interes. Presidentja Jahjaga e falënderoi sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan për njohjen që në vitin 2008 të vendit tonë nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe për ndihmën e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë vendit tonë, me theks të veçantë për praninë e ushtarëve të EBA në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Zonja Jahjaga kërkoi që Emiratet e Bashkuara Arabe të ndikojnë te shtetet mike që edhe ato ta njohin shtetin e Kosovës. Njëkohësisht, ajo kërkoi ndihmën e Emirateve në drejtim të anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga në veçanti theksoi se Kosova ofron kushte shumë të volitshme për investime të huaja dhe në këtë plan kërkoi nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të investojnë në vendin tonë, duke pasur parasysh resurset që i ka vendi ynë e sidomos fuqinë e re dhe të shkolluar punëtore. Ajo gjithashtu theksoi se bashkëpunimi, i mirë deri tash, mund të zgjerohet edhe në shumë fusha, si në kulturë, arsim e fusha të tjera. Sheiku Mohamed bin Zayed al Nahyan, që është edhe kryetar i Abiu Dhabit dhe mban edhe poste të tjera rëndësishme në shtet, theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë ndihmuar pa hezitim deri tash Kosovën dhe këtë ndihmë do ta vazhdojnë e do ta intensifikojnë në të ardhmen. Ai i ofroi Presidentes Jahjaga përkrahjen e plotë të tij dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe në të gjitha proceset që po kalon Republika e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.