presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nassir Abdulaziz Al Nasser

Abu Dhabi, 17 janar 2012 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nassir Abdulaziz Al Nasser.

Presidentja Jahjaga tha se qasja më e madhe e Kosovës në OKB, posaçërisht gjatë mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme, do të mundësonte paraqitjen e gjendjes reale për të gjitha vendet anëtare dhe në veçanti për ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare është rruga e vetme për t’u siguruar se ajo është pjesë e infrastrukturës globale dhe mund të jap kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin.

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës, është angazhuar në dialog me Republikën e Serbisë dhe vlerësoi se kjo është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe e vetmja mënyrë që Serbia të përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë synim anëtarësimin në BE dhe bashkëpunimi rajonal si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë çelës për këtë proces.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se çështja në komunat në veri të Kosovës është çështje e sundimit të ligjit dhe strukturat kriminale serbe, të mbështetura nga Serbia, po i mbajnë peng qytetarët serbë që duan të kenë një jetë normale në Kosovë. Ajo tha se autoritetet në Serbi duhet të ndalojnë mbështetjen për këto struktura dhe komuniteti serb duhet të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për të zbatuar planin Ahtisaari që garanton të gjitha të drejtat për komunitetin serb në Kosovë.

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nassir Abdulaziz al Nasser tha se do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjitha nismat dhe proceset nëpër të cilat ajo po kalon.
 
Gjatë vizitës në Abu Dhabi, Presidentja Jahjaga ka takuar edhe një numër udhëheqësish e përfaqësuesish të vendeve të ndryshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.