presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës për zhvillimet e 14 janarit

Ajo që ndodhi më 14 janar të vitit 2012 gjatë protestave së Lëvizjes “Vetëvendosje” për bllokimin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë nuk është një pamje e mirë dhe reale për Kosovën.

Një situatë e tillë  që po ndodh në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese të vendit  rrezikon ta kthejë Kosovën prapa, në përpjekjen e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike. Ndërtimi i një shteti të bazuar në respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë është synim konsensual i shoqërisë sonë, i arritur falë angazhimit dhe sakrificës të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. Unë si Presidente e vendit e kam shprehur qëndrimin, që përpara demonstratave, se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale dhe se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore. Veprimi institucional është mënyra e vetme dhe më e mirë për adresimin dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve. Të gjitha institucionet, të gjitha subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar të respektojnë dhe të  zbatojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Vetëm në këtë mënyrë ne e arrijmë sundimin e rendit dhe të ligjit, duke qenë një vend demokratik që në rrugën e integrimeve euroatlantike zbaton standardet e larta të lirive dhe të drejtave të njeriut. Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë publike dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave, vlera këto evropiane që garantohen edhe me Kushtetutën e Kosovës. Unë e mirëpres thirrjen e Qeverisë së Kosovës për vlerësimin e veprimeve të Policisë së Kosovës në ditën e protestës që do të mundësojë qartësimin e situatës së krijuar. Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, si faktor uniteti i vendit, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të kontribuojnë në demokratizimin e shoqërisë tonë, të respektojnë rendin dhe ligjin dhe të marrin pjesë aktivisht në përmbushjen e standardeve të cilat e sigurojnë rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik. I bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog. E thërras Lëvizjen “Vetëvendosje” që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare dhe të mos bllokojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në asnjë cep të Republikës së Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj kanë treguar shkallë të lartë të vetëdijes dhe të veprimeve demokratike, përkushtim ndaj sundimit të rendit dhe respektimit të ligjit. Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara duke i përmbushur obligimet e veta që dalin nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare. Vendi ynë është përkushtuar të zbatojë politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.