presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga po vazhdon vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, po zhvillon një varg aktivitetesh dhe takimesh të rëndësishme.

Ajo ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore “Çmimi Zayed për Energjinë e së Ardhmes”, një çmim ky shumë i rëndësishëm që jepet çdo vit për kompanitë dhe individët që shënojnë rezultate në fushën e energjisë alternative. Në këtë ceremoni, Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Islandës, Ólafur Ragnar Grímsson, bashkëshorten e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, Cherie Blair, ministra dhe ish-ministra që Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Britanisë së Madhe, dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë e përfaqësues kompanish nga e shumë vende të botës. Presidentja Jahjaga gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, vizitoi kompaninë “Masdar” që është kompania kryesore që merret me hulumtimin dhe vënien në praktikë të energjisë alternative. Zonja Jahjaga vizitoi objektet dhe laboratorët e kësaj kompanie, ku drejtues të saj shpjeguan në detaje të arriturat e shumta në përdorimin e energjisë solare, duke u nisur nga ndriçimi i ndërtesave, funksionimi i aparaturave të ndryshme, e deri te veturat që funksionojnë duke përdorur këtë energji. Drejtuesit e kompanisë “Masdar” theksuan gjithashtu se në Abu Dhabi dhe në gjithë Emiratet e Bashkuara Arabe po bëhen investime të mëdha në futjen në përdorim të energjisë alternative. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe Xhaminë e Sheik Zayedit në Abui Dhabi, një objekt modern fetar dhe kulturor, si dhe varrin e Sheikut Zayed Bin Sultan Al Nahyan, i cili e ndërtoi këtë qendër. Gjatë këtyre takimeve dhe vizitave, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga z.Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga dr. Rexhep Boja, i ngarkuar me punë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.