presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek

(Presidentja Jahjaga u paraqit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. – Presidentja organizoi një darkë për eurodeputetët. – Presidentja Jahjaga vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.)

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, takoi mbrëmë Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.

Presidenti Buzek tha se është i kënaqur për vizitën e nivelit më të lartë shtetëror të Kosovës dhe theksoi përkrahjen e mbështetjen për të.

Ai tha se e ardhmja e Kosovës është në BE sepse është vend evropian dhe theksoi se Kosova do të ketë agjendën e qartë të integrimeve dhe dialogun për liberalizimin e vizave.

Presidenti Buzek tha se Parlamenti Evropian ka vështirësi  procedurale për shkak se Kosovën nuk e kanë njohur pesë vende të BE-së dhe procedurat e vendimmarrjes janë të tilla që përveç që Parlamenti bën thirrje dhe nxit vendet që ta njohin pavarësinë e Kosovës ato janë vende sovrane dhe vendosin vetë.

President i Parlamentit Evropian tha se Kosova nuk ka mbetur e izoluar dhe theksoi se institucioni që ai udhëheq sillet ndryshe ndaj vendeve me të cilat nuk pajtohet, nuk i takon parlamentarët dhe zyrtarët e lartë dhe as nuk bënë vizita të karakterit zyrtar

Ai tha se në Kosovë institucionet evropiane janë të pranishme dhe i ndihmojnë të gjitha proceset dhe i shprehi Presidentes Jahjaga gatishmërinë për përgatitjen e Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Pas takimit, Presidenti Buzek dhe Presidentja Atifete Jahjaga dhanë nga një deklaratë para medieve të shumta të cilat po përcjellin vizitën e Presidentes së Kosovës në Bruksel.
 
Presidentja Jahjaga tha se e ka njoftuar kryetarin e Parlamentit Evropian, zotëri Jerzy Buzek për procesin e zgjedhjeve parlamentare, koalicionin qeverisës dhe zgjedhjen e presidentes, për ndryshimet kushtetuese dhe për ndryshimet në sistemin zgjedhor në funksion të avancimit të proceseve demokratike, të zgjedhjeve fer e të ndershme dhe të ndikimit të qytetarëve në procesin zgjedhor si dhe kontrollin parlamentar të qeverisjes.

Ajo tha se zotit Buzek i ka kërkuar që Kosova të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe të ketë rrugën e qartë të anëtarësimit në BE.

Kosova si vend dhe si popull është pjesë e Evropës dhe i përket civilizimit evropian dhe pranimi i Kosovës vend anëtar i BE-së është e vetmja perspektivë të cilën e shohin të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim përkatësie etnike, fetare, racore apo tjetër, tha Presidentja Jahjaga.
Ajo gjithashtu i ka shprehur z.Buzek falënderimet e saj për angazhimin dhe për ndihmën e BE-së dhënë Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse në nivelin qendror dhe lokal, sidomos në jetën parlamentare, në dhënien e ndihmës në procesin e demokratizimit.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova me procesin e decentralizimit i ka përmbushur obligimet edhe si detyrë, por para së gjithash si bindje, për të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet etnike, sidomos për komunitetin serb, i cili është i përfaqësuar si në nivelin lokal ashtu edhe në Parlamentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kosova është e ndërtuar si shtet qytetar duke parandaluar me këtë mënyrë tendencat për ndarje etnike si dhe kërkesat nga Serbia për ndarjen e Kosovës duke pretenduar territorin në veri të lumit Ibër ose për këmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në vijat e përkufizimit etnik, vijoi ajo.

Presidentja Jahjaga tha se anëtarësimi në BE i Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Serbisë do t’i zgjidhte këto kontradikta dhe do të mundësonte që dy popujt dhe dy shtetet të ndihmonin njëri-tjetrin duke u përkujdesur dhe duke ndihmuar bashkësitë e tyre etnike në shtetet përkatëse.

I deklarova zotit Buzek se unë si Presidente e Kosovës por edhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës jemi të gatshëm që të takohemi me përfaqësuesit e Republikës së Serbisë në cilëndo kohë dhe në cilindo vend si bartës të legjitimitetit të shteteve tona dhe të bisedojmë për të gjitha çështjet, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke i respektuar zgjidhjet të drejta dhe reciproke të bazuara në ligjet dhe në standardet evropiane, tha Presidentja Jahjaga.

Republika e Kosovës dhe pavarësia e saj është një realitet që ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm me askënd. Perspektiva e qartë evropiane e të gjitha vendeve të BE-së do ta përmbyllte në mënyrë të efektshme procesin e integrimit evropian, do të siguronte një zhvillim ekonomik e, që është me rëndësi, do të përparonte proceset demokratike të rendit dhe të sundimit të ligjit dhe të qeverisjes dhe kontrollit parlamentar të kësaj qeverisje, përfundoi Presidentja Atifete Jahjaga.
*****
 
Presidentja Jahjaga u paraqit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti një fjalë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Delegacionit për Evropën Juglindore, në të cilën foli për gjendjen në Kosovës dhe për rrugën e Kosovës drejtë integrimeve euroatlantike.
 
Salla e Parlamentit evropian ishte e mbushur me deputetë të të gjithë krahëve si dhe një numër mysafirësh  dhe presidentja u përgjigj në një varg pyetjesh rreth dialogut  me Serbinë rreth strategjisë për njohjen nga pesë vendet  e BE-së, për krimin e organizuar dhe korrupsionin për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për imunitetin e deputetëve, për pozitën e serbëve në Kosovë, për Planin Ahtisari dhe zbatimin e tij, për propozimet për ndarje dhe për këmbim territoresh etj.
 
Njohësit e takimeve të tilla thonë që deri tash nuk ka ndodhur që salla e takimeve të jetë përplot, dhe nuk ka ndodhur një interesim kaq i madh i medieve, dhe që deputetët të duartrokasin pas fjalës që e tha presidentja dhe në përfundim të takimit dhe të vijnë e të përshëndeten me të.
 
*****
 
Presidentja organizoi  një darkë për eurodeputetët
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga  organizoi një darkë për një grup eurodeputetësh të të gjithë krahëve politikë të Parlamentit Evropian. Darka kaloi në një atmosferë miqësore gjatë së cilës konkretisht u fol për gjetjen e rrugëve praktike për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike, u fol për demokratizimin në Kosovë për proceset e ndryshimeve kushtetuese e të sistemit së zgjedhjeve, për zhvillimin ekonomik etj. Deputetët, Presidentes së Kosovës i dhanë mbështetje dhe i ofruan ndihmën e saj  për qeverisje të mirë dhe për zhvillimin e proceseve demokratike si dhe ofruan ndihmën konkrete për njohje të shtetit të Kosovës nga vendet qe ende nuk e kanë njohur Kosovën.
 
*****
 
Presidentja Jahjaga vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel
 
Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga vizitoi ambasadën  e Kosovës në Bruksel, e cila është e vendosur në një ndërtesë të re. Ajo u prit nga ambasadori Ilir Dugolli së bashku me stafin diplomatik dhe konsullor të ambasadës dhe e njoftoi për ecurinë e punës në renovimin e ambasadës, për organizimin e punës dhe për aktivitetet që i zhvillon kjo përfaqësi  diplomatike e Kosovës në Bruksel.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.