Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në organizim të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli, u takua sot me një grup të bashkatdhetarëve që si komunitet jeton në Belgjikë.
Takimi me komunitetin u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Në një bashkëbisedim të lirë dhe të përzemërt Presidentja Jahjaga dhe bashkatdhetarët dhe bashkëqytetarët që janë një komunitet i rëndësishëm në Bruksel, diskutuan çështje dhe tema të ndryshme që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë dhe me jetën e mërgatës.
Duke shprehur konsideratën e lartë për punën dhe angazhimin e mërgatës, dhe kontributin e saj të rëndësishëm në të gjitha fazat, Presidentja Jahjaga theksoi se ajo është pjesë e pandashme e kombit dhe shoqërisë dhe ka qenë e përkushtuar që të ndihmojë në zhvillimin e vendit dhe në avancimin e proceseve demokratike.
Presidentja Jahjaga theksoi se në Kosovë po ndërtohet shteti I pavarur dhe sovran dhe demokracia e bazuar në vlerat evropiane. Ajo theksoi se Republika e Kosovës është bërë subjekt i respektuar ndërkombëtar dhe po luan rol të rëndësishëm në rajon si dhe është promovuese e një fqinjësie të mirë.
Presidentja e Republikës së Kosovës u tha bashkëqytetarëve që jetojnë në Belgjikë se gjatë vizitës në Bruksel, ka takuar një numër personalitetesh të larta të BE-së dhe të SHBA-së, që i kanë dhënë mbështetje të fuqishme agjendës evropiane të Kosovës dhe proceseve demokratike në vend.
Duke folur për takimin në nivel të presidentëve të dy shteteve fqinje , Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se takimi u zhvillua në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura dhe në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, nën udhëheqjen e kryeministrave të shteteve, e që ndihmon në lehtësimin e jetës së qytetarëve.
Ajo theksoi se proceset janë të pakthyeshme, se pavarësia e Kosovës është një realitet i pranuar ndërkombëtar dhe se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë si shtete fqinje duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane. Ajo tha se dialogu ndërmjet dy shteteve nuk ka alternativë dhe zgjidhjet që ofrohen duhet të bazohen në praktikat më të mira evropiane.
Ajo tha se nuk është diskutuar për, siç cilësohet, ?veriun e Kosovës? sepse nuk ka çështje të tillë. Pjesa veriore e territorit të Republikës së Kosovës, tha Presidentja Jahjaga, duhet t?i rikthehet normalitetit me vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit dhe me heqjen e strukturave ilegale paralele do të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të lira lokale, mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ku qytetarët serbë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë e legjitim. Ajo theksoi se zgjidhja për këtë pjesë është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe integrimit të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës.
Presidentja Jahjaga dhe bashkëqytetarët që jetojnë në Belgjikë biseduan në një atmosferë shumë miqësore edhe për çështje të tjera konkrete që të cilat i ngritën bashkatdhetarët