Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Komisionit të Dimensionit Civil të Sigurisë, të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga kryesuesi i këtij Komisioni, Lord Jopling.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparim të madh në të gjitha fushat dhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur Kosova i ka marrë të gjitha përgjegjësitë e saj, duke garantuar të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend. Presidentja Jahjaga tha se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare. Presidentja tha se NATO ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë dhe gëzon respektin dhe nderimin e të gjithë qytetarëve si institucioni më i besueshëm. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga tha se Kosova është dëshmuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe si promovuese e fqinjësisë së mirë, duke qenë e hapur për bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit. Presidentja Jahjaga e falënderoi NATO-n për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep FSK-së, në arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale duke e bërë një institucion shumë të rëndësishëm në shërbim të vendit. Lord Jopling, në emër të delegacionit të Asamblesë Parlamentare, falënderoi Presidenten Jahjaga për takimin. Ai tha se aspiratat për integrim evropian dhe euroatlantik për të gjitha shtetet e Ballkanik janë të ndërlidhura. Ai theksoi rëndësinë e pajtimit dhe besimit ndërmjet të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe vlerësoi të arriturat në vend në rrugën e integrimeve euroatlantike, si dhe u interesua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian si rrugë të normalizimit.