Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga është pritur në Bruksel në selinë e Bashkimit Evropian nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zonja Federica Mogherini për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i thelluar reformat politike dhe ekonomike në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga ka falënderuar zonjën Mogherini për mbështetjen, angazhimin e saj dhe të Bashkimit Evropian për forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila tashmë ka hyrë në fuqi. Presidentja Jahjaga e theksoi nevojën që perspektiva e integrimit evropian të forcohet edhe më tutje me Republikën e Kosovës dhe shtetet e tjera të rajonit si agjendë e cila siguron thellimin e reformave të brendshme në secilin vend dhe nxitë përmirësimin e marrëdhënieve për fqinjësi të mirë.Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për vazhdimin e procesit të dialogut me Republikën e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve si rrugë e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon dhe për të përshpejtuar integrimet euroatlantike të të dyja vendeve. Presidentja Jahjaga theksoi nevojën që ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përqendrohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel duke kushtëzuar përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.