Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’iu ofruar mbrojtje ligjore dhe për të forcuar statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës. Presidentja Jahjaga theksoi se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe që me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar. Ajo foli edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht për t’iu krijuar një të ardhme më të qëndrueshme, dhe për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme. Presidentja i dhuroi një kollazh fotografish nga instalacioni artistik Mendoj për Ty që u është dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.Në takim ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani, zotëri Lirim Greiçevci dhe Ambasadori britanik në Kosovë, zotëri Ruairi O’Connell, Presidentja Jahjaga falënderoi Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti falënderoi Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim. Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR