Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në një takim zëvendësdrejtorin e Institutit për Siguri Globale në Universitetin e Durhamit të Britanisë së Madhe, dr. James Sweeney dhe një grup prej 12 studentësh të këtij instituti.
Z.Sweeney e njoftoi Presidenten Jahjaga për aktivitetin e Institutit, gjegjësisht Universitetit, i cili është universiteti i tretë në Britani sipas rangimeve dhe gëzon një reputacion të lartë. Studentët i bënë pyetje të shumta Presidentes lidhur me zhvillimet në Republikën e Kosovës, si një vend ku intervenimi ndërkombëtar ka pasur sukses, dhe vend që udhëhiqet nga një Presidente femër. Presidentja Jahjaga foli për të arriturat e Republikës së Kosovës, për konsolidimin e shtetësisë dhe të njohjeve të saj, për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për një varg çështjesh të tjera.