presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga takoi liderët e partive politike parlamentare

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka takuar sot në takime të veçanta kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa dhe kryetarin e NISMA-s, zotëri Fatmir Limaj. Për shkak të angazhimeve të kryetarit të AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj, Presidentja Jahjaga ka zhvilluar bisedë telefonike me të për çështjen e ndërtimit më të shpejtë të institucioneve të vendit.

Presidentja Jahjaga në biseda me liderët e partive politike parlamentare u ka bërë thirrje që të ecet më shpejt drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme, për të mos e futur vendin në një krizë më të thellë. Ajo përsëriti qëndrimin se zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues dhe bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi domosdoshmërinë që liderët, duke e vlerësuar seriozitetin e situatës në të cilën gjendet vendi, të ofrojnë zgjidhjet që çojnë drejt ndërtimit të institucioneve, duke kërkuar rrugë që shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.Presidentja Jahjaga theksoi se vonesa në ndërtimin e institucioneve të vendit po e rrezikon angazhimin dhe bashkëpunimin e Kosovës në proceset ndërkombëtare, posaçërisht në fushën e sigurisë dhe po e dëmton partneritetin e saj me faktorin ndërkombëtar në fusha të ndryshme. Kosova nuk mund të mbetet e izoluar për shkak të pamundësisë që të gjejë zgjidhje për institucionet e saj. Ajo tha se gjetja e shpejtë e një emëruesi të përbashkët nga takimet do të mund të çonte drejt një takimi më të gjerë, të përbashkët, për ta përmbyllur gjithë procesin. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.