Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zotëri Blerim Shala.
Kryeministri dhe koordinatori e njoftuan Presidenten për raundin e shtatë të dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe për pritjet për vazhdimin e dialogut më 2 prill.Kryeministri i Kosovës, zotëri Hashim Thaçi tha se qëndrimi i palës kosovare është i qartë dhe se në dialog kemi hyrë në mënyrë që ky proces të jetë i suksesshëm dhe që të arrihen marrëveshje që janë në interes të gjithë qytetarëve, në interes të paqes dhe stabilitetit dhe në interes të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura. I gjithë dialogu po zhvillohet në atmosferë konstruktive dhe nën udhëheqjen shumë të mirë të baroneshës Ashton, Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe për Politikë të jashtme.Kryeministri theksoi se procesi i dialogu hasi në vështirësi të caktuara dhe se për të pasur sukses në vazhdimin e dialogut që do të zhvillohet me 2 prill në Bruksel duhet vullnet dhe konstruktivitet, respekt i ndërsjellë dhe mirëkuptim që të kapërcehen dallimet. Kjo do të ishte e dobishme për Republikën së Kosovës, për Republikës e Serbisë dhe për Bashkimin Evropian, në dobi të qytetarëve, në kthim të normalitetit të rendit dhe të zbatimit të ligjit.Presidentja Jahjaga i dha mbështetje kryeministrit Thaçi në gjithë procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që relakson raportet dhe mundëson komunikimin e lirë të qytetarëve dhe vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në një të ardhme të afërt.Presidentja theksoi se tashmë të gjithë e kanë të qartë se dialogu nuk po zhvillohet për çështjet statusore dhe se të gjitha marrëveshjet janë në harmoni me kushtetutën dhe me ligjet e shtetit të Kosovës, dhe që ndihmon të dyja vendet në rrugën e integrimeve evropiane.