Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës së saj në Republikën e Kroacisë, qëndroi në qytetet Poreq dhe Rovinj, ku zhvilloi takime me komunitetin shqiptar të rajonit të Istrës dhe u njoh me organizimin dhe angazhimin e tyre.
Ajo bisedoi me prefektin e Prefekturës së Istrës, z. Ivan Jakovcic, si dhe me udhëheqës të tjerë lokalë, të cilët folën për kontributin e komunitetit shqiptar në këtë rajon të Kroacisë.
Presidentja Atifete Jahjaga, duke iu drejtuar një numri të madh qytetarësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në rajonin e Istrës, tha se ka ardhur për t’i vizituar, që si Presidente e Republikës së Kosovës, t’ua përcjell përshëndetjet nga atdheu, t’i shohë dhe të bashkëbisedojë me ta, t’i ndajë hallet, si dhe të dëgjoj propozimet dhe sugjerimet e tyre.
Unë ndihem mirë dhe e di që edhe ju ndjeheni mirë që ndoshta për të parën herë në histori, bisedojmë pa trysni, pa imponime, udhëheqës me popullin, sepse unë jam e zgjedhur në saje të përkrahjes tuaj dhe ne jemi një, unë punoj dhe i shpreh interesat e vendit dhe popullit tim, vijoi Presidentja Jahjaga, duke shtuar se periudha e gjatë nën okupim dhe karakteri ideologjik i pushtetit asnjëherë neve nuk na bëri që ta duam udhëheqjen tonë dhe ta konsiderojmë që i shpreh interesat e popullit.
Kjo që ju thash është shijimi i lirisë dhe ne sot jemi të lirë dhe të barabartë, dinjitozë si të gjithë popujt e tjerë të Evropës dhe aspirojmë të bëhemi vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, tha Presidentja Jahjaga.
Ky është takim mes bashkëqytetarëve, bashkëfamiljarëve, bashkatdhetarëve dhe ne të gjithë sot këtu ndjehemi mirë dhe ne sot këtu kemi sjellë frymën e Kosovës. Kudo që jemi ne sjellim frymën e atdheut, se ne shqiptarët kudo që jemi, jemi bashkë, i gjendemi njëri-tjetrit, dhe jemi në miqësi me të gjithë popujt e tjerë, dhe miqësia me popullin kroat është miqësi shekullore, theksoi ndër të tjera në fjalën e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
Vizita e Presidentes Jahjaga në Kroaci po përcillet me interesim të madh nga mediat. Gjatë qëndrimit në Poreq ajo u pyet të komentojë deklaratat e presidentit të ri të Serbisë lidhur me Kosovën.
Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, shtet sovran, ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht.
Ne, tha ajo, jemi në miqësi të fuqishme me SHBA dhe vendet e BE-së.
Zgjedhjet në vendet fqinje nuk ndikojnë në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe nuk do ketë shkëmbim të qytetarëve. E ardhmja e të gjitha shteteve të rajonit është në integrimet evropiane dhe kjo nuk ka alternastivë tjetër, tha Presidentja Jahjaga.
Në takimet e sotme dhe gjatë vizitës në Kroaci, Presidentja Jahjaga po shoqërohet nga zëvendëskryeministri e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Gjatë ditës së nesërme, Presidentja Jahjaga do të takohet me Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, z.Boris Shprem dhe kryeministrin Zoran Milanoviq.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN