Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot zotëri Lawrence Meredith, udhëheqës i Misionit Faktmbledhës për Studimin e Fizibilitetit dhe Përfaqësuesin e Posaçëm, zotëri Samuel Zhbogar.
Presidentja Jahjaga, theksoi rëndësinë e Studimit të Fizibilitetit si hap përpara në konkretizimin e perspektivës evropiane të Kosovës, që i paraprinë fillimit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Presidentja Jahjaga përshëndeti edhe dorëzimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke shprehur me këtë rast përkushtimin e institucioneve për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve të parapara në këtë dialog. Presidentja Jahjaga e njoftoi zotëri Meredith me punën e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe me punën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, dy Këshilla që Presidentja i udhëheqë, dhe theksoi rëndësinë e konsensusit të plotë të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për rrugën drejt integrimit evropian. Duke folur për gjendjen në tri komunat në veri të vendit, Presidentja Jahjaga theksoi se vendosja e sundimit të ligjit do të ndihmojë edhe procesin e integrimit të qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në këtë pjesë, e që po mbahen peng nga strukturat ilegale e kriminale, të ndihmuara nga Republika e Serbisë. Ajo tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara në procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve dhe të ndërtimit e shtetit qytetar ku të gjithë qytetarët i gëzojnë të drejtat e barabarta. Udhëheqësi i Misionit Faktmbledhës për Studimin e Fizibilitetit, zotëri Lawrence Meredith tha se ekipi faktmbledhës, që po qëndron në Kosovë, ka përshtypje shumë pozitive për zhvillimet në vend, ndërkohë që përmendi disa prej fushave më sfiduese për punën e mëtutjeshme të institucioneve të Kosovës drejt integrimit në BE. Sipas z. Meredith reforma e administratës publike, sundimi i rendit dhe ligjit, reforma zgjedhore dhe integrimi i plotë i komuniteteve janë fushat në të cilat Bashkimi Evropian është i interesuar të shoh më shumë përparime.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR