DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti shefin e ri të Misionit të EULEX-it Gabriele Meucci

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim shefin e ri të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, zotëri Gabriele Meucci, me të cilin bisedoi për vazhdimin e bashkëpunimit të misionit me institucionet e vendit, me qëllim të shtrirjes së sundimit të rendit dhe të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, duke i uruar zotëri Meucci mirëseardhje në Kosovë, vlerësoi punën dhe angazhimin e misionit të EULEX-it në fushën e drejtësisë dhe posaçërisht bashkëpunimin e misionit me institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se duhet të intensifikohen aktivitetet e përbashkëta për sundim të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe theksoi rëndësinë e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit me mirëbesim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it sipas mandatit, me qëllim të ndërtimit të një sistemi të besueshëm, kredibil dhe të paanshëm të drejtësisë, që do të ndihmojë ndërtimin e shtetit të së drejtës. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe thellimin e reformave që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, duke ndihmuar kështu edhe lëvizjen e lirë të tyre në të gjitha vendet e BE-së, përmes procesit të liberalizimit të vizave. Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotëri Gabriele Meucci e falënderoi presidenten Jahjaga dhe institucionet përgjegjëse të Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë. Ai tha se misioni i EULEX-it do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha institucionet përgjegjëse për sundimin e ligjit në fushën e rendit dhe të ligjit dhe ta ndihmojë Kosovën posaçërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.