presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti shefin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim shefin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, zotëri Roberto Gualtieri, mision ky që vëzhgoi zgjedhjet e fundit komunale në Kosovë.

Presidentja Jahjaga falënderoi zotëri Gualtieri dhe misionin që ai e udhëheq për punën që kanë bërë në mbështetje të procesit demokratik, duke rritur kredibilitetin dhe transparencën e procesit zgjedhor në Kosovë.Presidentja theksoi se zgjedhjet komunale të organizuara për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar mbarëvajtje të një procesi të organizuar tërësisht nga institucionet e vendit me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve. Presidentja theksoi se ky standard i procesit zgjedhor duhet të forcohet tutje në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të ndershme, demokratike, të lira dhe të drejta.Shefi i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, zotëri Roberto Gualtieri theksoi se është i kënaqur me cilësinë e procesit të fundit zgjedhor në Kosovë që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit demokratik. Z. Gualtieri gjithashtu njoftoi Presidenten me rekomandimet e këtij misioni për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të publikohen gjatë ditës së sotme në kuadër të një raporti final të këtij misioni. Ai tha se trendi pozitiv i zgjedhjeve të fundit lokale duhet të mbahet në vazhdimësi edhe gjatë zgjedhjeve nacionale.Zotëri Gualtieri falënderoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj politik në mbështetje të një procesi zgjedhor të ndershëm, të lirë dhe demokratik.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.